Google search engine
Home Politike Berisha kërcënon se do marrë me dhunë PD pas 18 dhjetorit dhe...

Berisha kërcënon se do marrë me dhunë PD pas 18 dhjetorit dhe paralajmëron protesta, ju shmanget akuzave të Bashës për “21 Janarin”

0
214

Ish-kryeministri Sali Berisha duket i vendosur për të “pushtuar” selinë e Partisë Demokrtike. Pak ditë më parë ai dhe ushtarët të tij mësynë në godinë e PD, ndërkohë që plani i tyre për të marrë me dhunë selinë dështoi, pasi kryedemokrati Lulzim Basha nuk ra pre e provokimeve të mbështetëse të Berishës. Por duket se ish-kryeministrit nuk i del inati, ndërkohë që dje ka paralajmëruar se do të shkojë në selinë e Partisë Demokratike dhe se nuk ka zot që e ndal atë. Teksa ishte duke folur në studion e emisionit “Opinion” në “Tv Klan”, ish-kreu i PD theksoi se pas referendumit të kësaj të shtunë ku do të votohet nga anëtarësia e PD shkarkimi i Bashën si kreu i Partisë Demokratike, ai dhe Komisioni i Rithemelimit të PD do të shkojnë në selinë blu, pasi sipas tij, vendi i tyre është atje. “Pas referendumit do shkojnë në selinë e PD. S’pyesim ne për njerëzit e armatosur që mbrojnë Bashën. Selia e Partisë Demokratike është e jona dhe ne shkojmë atje kur të duam. Por absolutisht ne do të shkojmë në selinë e PD pas referendumit të 18 dhjetorit që do të zyrtarizohet shkarkimi i Bashës si kreu i PD”, deklaroi ai.

Berisha paralajmëron protestë më 20 dhjetor

Më tej gjatë fjalë së tij, ish-lideri historik i PD, Sali Berisha ka njoftuar protestën e opozitës në datën 20 dhjetor në Tiranë. Sipas zotit Berisha, protesta do të zhvillohet kundër vizitës së presidentit serb, Aleksandër Vuçiç në Tiranë dhe qeverisë së Edi Ramës. “Unë kam një lajm për shqiptarët. 20 dhjetori është protesta kombëtare e shqiptarëve. Protesta ka qëllime kryesore, së pari kundër Ballkanit të Hapur. Së dyti, protesta e vjedhjes kombëtare. Në datën 20 kombi është në protestë. Merr fund më skenari armiqësor anti-shqiptar i Ballkanit të Hapur. Nëse kthehesh në Foltore unë kisha paralajmëruar ditën e protestës kombëtare. E kisha paralajmëruar Millosheviçin e ri që të mos vijë në Tiranë për Ballkanin e Hapur se populli do të të presë me protesta. Sepse nuk mund të pranojmë ne skenarë të mirëfilltë anti-shqiptar destabilizues”, u shpreh ai.

Ish-kryeministri i shmanget “21 janarit”

Por ish-kryeministri Sali Berisha në studion e emisionit “Opinion” është pyetur edhe për ngjarjet e 21 janarit të vitit 2011, ku gjatë protestave të opozitës kundër qeverisë së drejtuar prej tij, mbetën të vrarë 4 protestues të pafajshëm. Pak ditë më parë Kryedemokrati Basha hoqi një paralele mes Berishës që “pushtoi” selinë e PD dhe skenarit të ndjekur nga Tom Doshi në 21 janar, ndërsa tha se ai nuk u përgjigj në të njëjtën mënyrë si ish-kryeministri 10 vite më parë. Mirëpo Berisha duket se u kap në befasi nga kjo deklaratë e leshura nga shefi i PD, pasi deklaroi se ai ka qenë në zyrë e tij atë ditë, ndërkohë që shtoi se Basha nuk dihet se ku ka qenë asokohe. “Basha është bërë bashkë me zotin Rama për 21 Janarin. Meqë jemi këtu do them. Ka një përcaktim të kryetares së OSBE-së në atë kohë që ajo ishte axhendë pushteti, është zyrtare. Ka një fakt tjetër. Sali Berisha ka qenë jashtë zyre duke drekuar me ambasadoren e Republikës Federale Gjermane dhe është kthyer në zyrën e tij dhe nuk ka lëviz nga zyra asnjë moment. Ka një fakt tjetër që zyra e tij është qëlluar me plumba dhe ai ka qëndruar në zyrë. Se ku ka qëndruar Lulzim Basha nuk e di”, tha ai. Mirëpo gazetari Fevziu insistoi dhe i kërkoi që të japë më shumë detaje për “21 janarin”, ndërkohë që Berisha theksoi se ato që ka ditur për atë ditë i ka thënë dhe se nuk ka asgjë tjetër për të shtuar. “Është bërë skllav dhe peng i Edi Ramës dhe tregon narrativën e tij. Çfarë kam dit unë e kam thënë për 21 janarin, ndërsa për ’97 ai lexoi atë pjesë që i çoi Rama me Endri Fugën”, nënvizoi ish-kryeministri Sali Berisha.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here