Komisioni për Rithemelimin e Partisë Demokratike ka depozituar në gjykatë ndryshimet e bëra në statutin e partisë në Kuvendin e 11 dhjetorit. Ndryshimet janë depozituar nga anëtarët Ivi Kaso dhe Arben Ristani.
Më herët, Oerd Bylykbashi, deklaroi se gjykata do të regjistrojë ndryshimet e 11 dhjetorit, pasi janë të gjitha dokumentet dhe provat për pranimin e tyre.
“Pse Basha nuk i ka regjistruar ndryshimet në korrik? Shikoni çfarë respekti ka Basha. Me ndryshimet e datës 11 dhjetor ne shfuqizojmë atë statut, nuk themi që nuk ekziston, aq më mirë që e kanë regjistruar. Do ishte absurditet ta çonte pasi e kishim çuar ne. Ne nuk bëjmë padi për statutin e korrikut. Gjykata vetëm e regjistron”.
Gjyqtari duhet të gjejë kushte ligjore apo statutore që nuk e pranon, por Kuvendi është thirrur nga 1/4 e delegatëve. Kemi verifikuar faktin që është thirrur nga ata dhe dokumentacioni është disponibël për gjykatën. Të gjitha provat i kemi dhe është e kundërta e kuorumit që ka bërë Basha me 17 korrik, në sallën e Pallatit të Kongreseve. Ne kemi vendosur një precedent historik jo vetëm për PD”, tha ai.