Google search engine
Home Aktualitet “La Boheme” në TKOB, sopranoja Eva Golemi: Një opera, që kërkon cilësi...

“La Boheme” në TKOB, sopranoja Eva Golemi: Një opera, që kërkon cilësi vokale dhe aktoriale

0
525

“La Boheme” opera e kompozitorit Giacomo Puccini për katër mbrëmje vjen në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Katër shfaqje në skenën e re, e cila sipas TKOB mirëpret katër kaste të ndryshme artistësh shqiptarë dhe ndërkombëtarë, në katër mbrëmje në datat 14,15,16 dhe 17 dhjetor. Sopranoja e njohur Eva Golemi në skenë vjen me rolin e Mimisë. Një rol, që sipas saj ka rëndësi si dhe të tjerë më parë dhe që është për vokalin e saj. “Mimi është një rol që nuk duhet të mungojë në repertorin e një soprano. Sjell freski vokale transformim në planin liriko- dramatik dhe të jep mundësinë e shpalosjes së dinamikave vokale. Ka rëndësi si çdo rol tjetër, që është për vokalin tim. Është po aq i dashur sa Violeta, Toska, etj. Në përgjithësi dashurohem me rolin që punoj. Më duhet të mendoj si Mimi për t’u futur në lëkurën e personazhit. Kam fatin të dirizhohem nga një super dirigjent Jaccopo Sipari”, shprehet sopranoja Golemi. Opera “La Boheme” nga Puçini me libret Luigi Illica dhe Giuseppe Giacosa pritet të jetë në skenë në katër net për publikun, por sopranoja Eva Golemi që ka rol kryesor thotë se shfaqja nuk mungon në repertor të teatrove. “Është një opera intensive, kërkon cilësi vokale dhe aktoriale jo vetëm nga Mimi po nga të gjithë personazhet. Nuk mungon në repertorin e teatrove dhe pikërisht për Kritshlindje, pasi akti i parë dhe i dytë janë pikërisht pragu i festës”, thotë sopranoja Golemi. Në katër shfaqjet e operës “La Boheme” do të interpretojnë orkestra, kori, trupa e baletit, artistët e Cirkut Kombëtar, kori i fëmijëve. Dirigjent Jacopo Sipari, regjisore Ada Gurra, skenograf Renold Sula dhe kostumograf Ardi Asllani.

Roli i Mimisë në repertor

Role të ndryshme në skenën operistike në vend por dhe jashtë, sopranoja Eva Golemi thotë mes të tjerave se Miminë do të vijojë ta ketë në repertor. “Jam në atë fazë karriere, që e kam humbur numërimin. Shumë produksione këtu dhe jashtë. Me vlerësime maksimale nga publiku i thjeshtë dhe artist, dhe do vazhdoj ta kem në repertor Miminë për sa kohë mendoj që kam cilësitë e duhura vokale”, thotë Golemi. Roli i parë në skenë për Eva Golemin ka qenë Donna Anna. Më herët ka treguar se ishte studente në vitin e fundit të Universitetit të Arteve, bëri audicione për këtë rol dhe fitoi. Sopranoja numëron mbi 35 kryerole dhe vokali i saj është i destinuar për to. Sopranoja i ka dhuruar skenës shqiptare peformanca të ndryshme, në role si Donna Anna, Mimi, Leonora, Toska e të tjera. TKOB ka publikuar dhe artistët në rolet kryesore në katër netët e shfaqjes “La Boheme”. Në natën e parë më 14 dhjetor: Eva Golemi (Mimi), Dorina Selimaj (Musetta), Raffaele Abete (Rodolfo), Armando Likaj (Marcello), Ogert Islami (Schaunard), Bledar Domi (Colline), Genc Vozga (Benoit), Sokol Hidersha (Alcindoro), Gerald Murrja (Parpignol) dhe Erlind Zeraliu (Sergente dei Doganieri). Ngjarjet në vepër zhvillohen në fundin e shek. XIX në Paris. “La Boheme” është një histori që pasqyron rininë dhe përballjen me dhimbjen; kalimi nga adoleshenca drejt pjekurisë. Grupi i miqve përballet me realitetin e ashpër për shkak të gjendjes së Mimisë, e cila vuan nga tuberkulozi. Ajo vdes në krahët e Rodolfos së saj dhe ndryshon përgjithmonë fatin e të gjithë personazheve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here