Bashkëpunëtori i SPAK, E.H. ka dhënë deklaratën e tij në lidhje me rolin e tij në vrasjen e Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt. Në dëshminë e zbardhur të E.H., ai ka deklaruar se ka qenë i shtyrë nga miku i tij Xh.H. për të marrë pjesë në vrasjet e Ramazanit dhe Runajt. I penduari E.H. ka treguar se shoku i tij për survejimi e Emiljano Ramazanit i jepte shuma monetare prej 20-200 mijë lekë në ditë. Shtetasi E.H. u zbulua nga gjurmët e gishtave që u gjetën në motorin që u përdor për vrasjen e Regis Runajt. Në motorin e gjetur në banesën e E.H. u gjetën dhe njollat e gjakut të Runajt. I gjendur para provave të pamohueshme dhe i papaguar për punët e kryera, E.H. vendosi të ishte bashkëpunëtor i drejtësisë. Megjithatë i penduari nuk ka treguar se kush ishte personi i cili qëlloi Emiljano Ramazanin. Vrasjet e Ramazanit dhe Runajt kanë qenë vrasje të menduara kohë më parë, sipas asaj që deklaron bashkëpunëtori i SPAK. Ka qenë një person i vetëm, ai i cili ka porositur dy vrasjet, por që i penduari nuk e njeh si fytyrë. Nga shoku i tij i ishte thënë se ishte një emër shumë i fuqishëm dhe do të paguante mirë për vrasjen e Runajt dhe Ramazanit. “Xh. më pati thënë se duhet të ndiqnin lëvizjet e një personi në Elbasan, pasi dikush tjetër që fshihej pas Xh., ishte i interesuar ta vriste. Ndaj për informacionet që do i jepja, Xh. dhe më pas ky i fundit, personit që qëndronte i fshehur, do paguheshim shumë mirë”, është shprehur E.H. në dëshminë e tij. Për vrasjen e Regis Runajt, E.H. ka deklaruar se ai dhe Xh.H. ishin urdhëruar që Runaj të vritej me thikë, pasi sipas urdhëruesit të vrasjes, Runaj kishte marrë pjesë në vrasjen e vëllait të porositësit. Për sa i përket vrasjes së Runajt, E.H. shprehet se e ka marrë ai përsipër dhe ka treguar se si e ka vrarë atë. “Unë lëviza me motor me Regisin. Motorin ja lashë ta drejtonte Regisi, ku në rrugën pas varrezave, i kam thënë Regisit që ta ulte pak shpejtësinë e motorit deri në ndalesë. Dhe sapo ka ulur shpejtësinë, menjëherë e kam qëlluar nga prapa në qafë dhe më pas në gjithë trupin, derisa Regisi nuk lëvizi më. Nga këtu me motor kam shkuar në shtëpi, kam hequr rrobat që ishin bërë me gjak dhe bashkë me thikën, i ka futur në një qese për t’i hedhur diku tjetër. I kam komunikuar në telefon Xh. për kryerjen e krimit”, ka thënë E.H.
Vrasjet e Ramazanit dhe Runajt
Emiljano Ramazani mbeti i vrarë pasditen e 20 korrikut të vitit 2020 në qytetin e Elbasanit. Ngjarja ndodhi pranë një pike karburanti te rrethrrotullimi i luleve në hyrje të qytetit u ekzekutua 39-vjecari Emiljano Ramazani. Viktima ka qenë brenda mjetit tip “Ford Focus” teksa është qëlluar me armë zjarri kallashnikov, nga autorët e krimit, momentin që Ramazani ndodhej në parkim. Ata i janë afruar dhe e kanë qëlluar duke mos i dhënë asnjë mundësi që të largohet. Pak ditë pas vrasjes së Emiljano Ramazanit, u gjet i vdekur njeriu më i besuar i tij, Regis Runaj. 23-vjeçari u gjet i vdekur pranë varrezave në lagjen “Emin Matraxhiu” në Elbasan. Runaj rezultoi të ishte ekzekutuar me mjete të mprehta dhe të ishte vrarë disa orë para se të gjendej trupi i pajetë nga polica. Regis Runaj ishte i njohur në qytetin e Elbasanit si shpërndarës droge.









































