Shfaqja “Roli i Lule-Borës” shënoi premierën në festivalin “Metrofest 5”, në teatrin e Metropolit në Tiranë. Botuar në vitin 1932 nga shtypshkronja “Luarasi” ishte dhe vepra e fundit, e cila preku skenën e teatrit Metropol, në kuadër të festivalit të dramës shqipe. Një shfaqje mes teatrit të fjalës dhe muzikalit për publikun, e cila këto ditë dhjetori erdhi premierë në Metropol. Me regji nga Sonila Kapidani, interpretuan Erdet Mirakaj, Luisa Dinellari dhe Mario Bali. Vepra bën fjalë për një vajzë të shkathët dhe plot energji, e cila jeton me të ëmën në varfëri. Lulja nis të kërkoj punë, por pa sukses. E gjendur në kushte të tilla pa gjetur rrugëzgjidhje Lulja nuk shef tjetër mënyrë vetëm të hyj vjedhurazi te presidenti i bankës dhe ti lutet atij për punë. Në materialin nga teatri thuhej se kjo skicë dramatike është përpunuar dhe do të shërbente si një punë laboratorike, në të cilën do të zhvillohej një punëtori mbi zërin, praninë dhe lëvizjen e aktorit. Pas kësaj shfaqje në Metropol pati diskutime mbi çështje të trashëgimisë dramatike, teatrit dhe punës së aktorit me rolin. Koreografia nga Erdet Mirakaj dhe ndriçimi Ergys Baki. Festivali “Metrofest” u mbyll në Metropol, por gjatë këtij edicioni për publikun erdhën disa vepra teatrore premierë. Për të pestin vit me radhë, teatri Metropol organizoi festivalin dedikuar veprës shqiptare të arkivit. Puna për realizim e tij nisi në muajin tetor, ndërsa muaji nëntor ishte muaji në të cilin nisi premiera e parë dhe data 9 dhjetor mbyllja e këtij realizimi, që i përket trashëgimisë dramatike, teatrit dhe edukimit.
Artistët i dhanë jetë personazheve
Teatri shprehet se artistët në këtë projekt me festivalin i dhanë jetë teksteve dhe personazheve, nga e shkuara jonë. “Jemi të kënaqur që në këtë përmbyllje të edicionit të pestë të festivalit “Metrofest” drama shqipe si formë njohjeje dhe kërkimi, kemi takuar të tjerë autorë me publikun. Falenderojmë të gjithë artistët pjesëmarrës dhe stafin e teatrit që i dhanë jetë teksteve dhe personazheve nga e shkuara që dëshmojnë zhvillimet gjuhësore, kulturore e ndoshta na bëjnë të kuptojmë më shumë për vetveten”, thuhet nga institucioni. Në këtë edicion u përzgjodhën për t’u vendosur në skenë larmi tekstesh, që i përkasin viteve 1900 dhe jo vetëm. Në datën 4-7 nëntor 2021 u shfaq “Kapterr Behari” me autor dhe regji nga Stefan Çapaliku; 11-14 nëntor komedia zbavitëse “Luloja” botuar më 1922 nga Dhori Kote e në regjinë e Blendi Arifit; 18- 21 nëntor 2021 ishte shfaqje përshëndetëse komedia “Sot tetë ditë” me autor Josip Relën në 1932 dhe regji nga Elona Hyseni. Në datat 25-28 nëntor u prezantua ajo që njihet si drama e parë e absurdit në shqip “Gof”, me autor Anton Pashku dhe përpunim tekstor dhe regjia nga Shkëlzen Berisha. Në datat 4-5 dhjetor ishte një ekspozitë e pikturës dhe shfaqja e monodramës me titull “Duan të fluturojnë” e autorit Lekë Tasi, në regjinë e Klesta Sheros. Ndërsa pikëtakimi final i këtij edicioni të pestë në Metropol ishte në datën 9 dhjetor me prezantimin e krijuar në punë laboratorike të skicës dramatike “Roli i Lule-Borës” botuar në 1932 me regji nga Sonila Kapidani.









































