Google search engine

    Agim Sulaj: GKA duhet të shërbejë për promovimin dhe zhvillimin e artit, të ketë një drejtor të aprovuar edhe nga artistët

    0
    573

    Piktori i njohur Agim Sulaj hapi ekspozitën e tij “Rrënjët 6” në Tiranë. Edhe këtë vit nuk mungoi për publikun, ku prezantoi rreth 40 punime në pikturë dhe karikaturë. Në intervistën për gazetën “SOT” piktori Agim Sulaj thotë se “Rrënjët” e këtij viti ishte ecuria artistike, një rikthim në vendlindje gjithmonë me krijimtarinë e tij. Një lloj biografie artistike thotë ai, që ia tregon vendit të tij se si ka ecur me artin në vitin që lamë pas. Ekspozita qëndroi disa ditë në mjedis ku piktori ekspozon çdo vit, por në lidhje me problemet që ka arti në vend, ai thotë se duhet bërë më shumë nga institucionet. Për piktorin Agim Sulaj, Galeria Kombëtare e Arteve duhet ketë një ekip shumë të fortë dhe një drejtor të aprovuar dhe nga artistët. Me kritika piktori i njohur shprehet dhe për veprat e fondit në GKA, që sipas tij tregonin një gjendje problematike. Piktori thotë se kur të hapet GKA duhet të ketë një aktivitet më të larmishëm për artistët. Në vitin 1990 në Ankara të Turqisë me veprën e tij “Valixhja e emigrantit” punim i vitit 1989, fiton çmimin special në “Aydin Dogan International Cartoon Competition”. Në vitin 1992 hap një ekspozitë në Rimini e në vitin 1993 një tjetër në provincën e Brindisit. Në vitet ‘90 merr rrugën e mërgimit dhe vendos të shkojë në provincën e Riminit. Në qendër të punëve të tij mbeten temat shoqërore, shumë më lirshëm se më parë, por pa rënë kurrë në “karikaturizimin e personit”. Vazhdon të kritikojë dukuritë, jo bartësit. Në vite ka ekspozuar dhe është vlerësuar jo vetëm në të katër anët e Italisë, por edhe në Greqi, Turqi, Belgjikë, Francë, Azerbajxhan, Kinë, Portugali, etj.

    -Edhe këtë vit në Tiranë me “Rrënjët”. Si autor jeni shprehur më parë se prezantoni punën dhe zhvillimin tuaj artistik. Këtë vit çfarë zgjodhët për “Rrënjët”?

    “Rrënjët 6” e këtij viti është një ecuri artistike, një rikthim në vendlindje gjithmonë me krijimtarinë time, dhe është bërë tashmë një traditë e këndshme në hotel “Plaza”. Një dhuratë që unë iu sjell artdashësve, miqve të mi, artit shqiptar, njëkohësisht dhe krijimtarisë artistike të Shqipërisë, duke i dhënë natyrën time, punën time, duke i dhënë mënyrën time të të pikturuarit, qoftë në karikaturë, në çmime ose në eventet e ndryshme. Një lloj biografie artistike, që unë ia tregoj vendit tim se si kam ecur dhe kam bërë artin në vitin që lamë pas. Kjo ekspozitë e këtij viti ishte me rreth 40 punime, 5 karikatura që trajtonin temën e Covid-19 dhe janë dhe vepra të vlerësuar në Belgjikë, Austri dhe tre të tjera në Portugali. Me një sens gjithmonë grafiko- humoristik, që shikojnë anën tragjike të kësaj pandemie ndërkombëtare me sensin e humorit dhe atë delikatesën, që të të bëjë të qeshësh por njëkohësisht dhe duke u menduar. Ndërsa në tablo këtë vit trajtoja tema ndërkombëtare të Shqipërisë, duke pasuruar me peisazhe nga vendi, me portrete të kostumografisë shqiptare të mrekullueshme, po ashtu dhe me tabolo historike si ajo e luftës së Vlorës, që u ekspozua për herë të parë këtë vit në Tiranë së bashku me të tjerat. Jam kënaqur dhe ndjeva një sadisfaksion si artist dhe mund të them, që dhe këtë vit ekspozita pati sukses. Vitin e kaluar nuk erdha dot vetë dhe dërgova vetëm punët për shkak të pandemisë së rënduar. Këtë vit erdha vetë, duke takuar dhe njerëzit, miqtë e dashamirësit.

    -Ju dhe këtë vit ekspozuat në hapësirë private, por për Galerinë Kombëtare të Arteve?

    Unë kam pasur shumë dëshira që të gjej hapësira të tjera në Tiranë dhe GKA është i vetmi vend event që artisti vërtetë mund të prezantojë veprat e tij, sepse me sa kujtoj hapësirat e saj kanë qenë të specializuara dhe modifikuara për vepra arti. Por GKA ka një periudhë të gjatë letargjie, një lloj gjumi të madh para se të mbyllej për rikonstruksion që ishte shumë e vështirë që ta zgjoje. Një proces shumë i ndërlikuar, kështu që unë nuk i jam afruar galerisë kombëtare. Nga Muzeu Historik Kombëtar kam pasur ftesa dhe nga drejtori me shumë dashamirësi, por punimet e mia me mizura të vogla në hapësirat e mëdha të muzeut ndoshta do të humbisnin pak vlerën e tyre dhe goditjen. Por duke pasur miqësi dhe me përfaqësuesit e këtij ambienti ata më kanë thënë që kemi hapësira, dhe kam hapur këtë ekspozitat e mia si çdo vit. Në Tiranë më thanë që është bërë një galeri e re arti. Nuk kam vajtur ende, por do të shkoj ta shoh.

    -Si e shikoni hapjen e kësaj galerie arti të Tiranës sa ka rëndësi sipas jush?

    Një gjë e mrekullueshme që Tirana më në fund ka një galeri arti, ku artistët të prezantohen dhe diskutojnë. Vendi më i mirë që mund të diskutohet mbi platformën artistike në pikturë, grafikë, skulpturë, është galeria ku do të prezantosh punët. Kjo galeri filloi dhe unë i uroj punë të mbarë dhe të prezantojë sa më shumë gama artistësh, të thërrasë sa më shumë artistë, që këto i bëjnë shumë mirë jetës artistike të Tiranës, por dhe gjithë Shqipërisë, sepse aty do të ketë dhe artistë nga Vlora, Korça, Berati, etj. Kështu që të jetë një bërthamë artistike, ndërsa GKA vijon mbyllur nga restaurimi. Shpresojmë që Galeria Kombëtare e Arteve të marrë formën e saj, por unë nuk e di se si do të restaurohet dhe të përfundojë në fund. Por për artistët duhen bërë ekspozita, sepse është si një ajër i freskët që futet në galeri dhe jo vetëm punët e fondit të ekspozuara, por që duhen lançuar dhe artistët e rinj dhe pika më e mirë është GKA.

    -I keni parë veprat e fondit që u ekspozuan, ku ju keni dhe vetë aty punë?

    Kam lexuar një shkrim të mrekullueshëm me foto të zotit Agim Janina, por për të ardhur keq që gjithë fondi i veprave të traditës sonë në skulpturë ishin të shpartalluara, por dhe në pikturë. Skulptura në mermer nëse thyhet nuk mund të rregullohet më dhe është për të ardhur keq se ato vepra kanë dalë jashtë përdorimit. Më vjen keq se prishet historia, digjen artistët, digjen figurat kombëtare që janë në skulpturë, gjithë imazhi jonë i veprave deformohet dhe nuk kemi më histori arti. Unë në fond duhet të kem 4-5 karikatura të botuar te “Hosteni” dikur dhe ata të galerisë mi kanë dërguar herë pas here, që filluan ti publikonin në rrjetet sociale. Për fat ishin të ruajtura shumë mirë, plus dhe ja dy tablo në vaj që janë të ruajtura. Por nuk e di se si ka arritur kjo gjendje në GKA, pra shpartallimi i veprave të artit të fondit. Unë kur kam bërë ekspozita vite më parë në GKA kam vënë re që ka qenë një rregull, dhe një katogalizimi i veprave shumë i rregullt. Nuk e di pse ndodhi kjo. Kur pashë shkrimin e Agim Janinës u lebetita se si ka mundësi, që të ishte ajo gjendje. Vepra pa kokë, disa të tjera i kishin shtrirë. Shpresojmë që ato të restaurohen deri sa të kenë mundësinë. Publiku duhet ti njohë veprat, por Ministria e Kulturës duhet të prezantojë se çfarë do të bëhet për këto vepra arti që janë prishur.

    – GKA u mbyll për restaurimin, por mbaroi dhe mandati i drejtorit të saj. Të jesh në krye të GKA sipas jush sa ke përgjegjësi?

    Tani që është mbyllur nuk do të thotë asgjë. Por nëse GKA do të hapet duhet ketë një ekip shumë të fortë, një drejtor të aprovuar dhe nga artistët. Jo vetëm nga Ministria e Kulturës që vjen si me parashutë dhe zbret në karrige. Të jetë i aprovuar dhe të njihet nga artistët, të jetë një pasionant i artit, ta njohë artin. Të jetë një njeri pozitiv që të flasësh kur ke një nevojë apo problem. Por dhe MK duhet që ta ketë shumë afër Galerinë Kombëtare të Arteve. Ta mbështesë dhe me fonde për konkurrime. Të marrë jetë GKA, ku dhe një ekspozitë akuareli mund të bëhet ndërkombëtare, një me pastelin, një me portrete, etj. GKA i jep rrugë artit, ua lehtëson rrugën artistëve, i ndihmon që tua lehtësojë rrugën dhe jo tua mbylli. Deri tani ka qenë e hidhur, sepse ka qenë galeri që nuk komunikonte me artistët, një institucion i mbyllur. Në GKA kam bërë një ekspozitë në 2004 dhe një në 2008. Kur të hapet GKA më vonë të ketë sa më shumë ekspozita dhe të qarkullojnë artistët. Me radhë artistët, një ekspozitë kolektive që mund të jetë aty, etj.

    -Ky vit po mbyllet me ekspozitën në Tiranë, por si do vijojë aktiviteti juaj vitin që vjen?

    Unë do kthehem në Itali. Por kam dërguar biografinë artistike në Portugali, sepse në muajin qershor më bëjnë një ekspozitë me titull “Migrantes”. Pra vetëm me valixhe, historia e valixhes, ilustracione, si ika, etj. Në maj kam një ekspozitë në Paris dhe kisha dëshirë ta sillja dhe në Shqipëri. Janë ja 50 punime të vogla që unë ia dedikoj regjisorit Federico Fellini, ku nga filmi i tij “Amarcord” kam pikturuar gjithë personazhet, që dua ta ekspozoj. Në Shqipëri mund të rikthehem me këtë ekspozitë besoj nga fillimi i pranverës.

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here