Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka theksuar sot se PD nuk do të përçahet, por përkundrazi do të vijojë përpara me misionin e saj. Nga selia e PD, Basha tha se ky 31-vjetor i PD është një ditëlindje e thyer për shkak se u vendos interesi personal mbi atë të demokratëve. Basha tha se PD mirëpret të gjithë ata që kanë gabuar, duke iu referuar demokratëve që iu bashkuan Berishës, por që kanë motive të pastra.
“Ne Partia Demokratike do të vendosim fatin e Shqipërisë evropiane.”
Ai u shpreh se nuk mund të injorojmë atë që po ndodh aktualisht me një pjesë të PD-së.
“Dua t’i drejtohem demokratëve të zhgënjyer, të mërzitur e të dëshpëruar dhe t’i them e njoh dhe e kam prekur dëshpërimin tuaj kur më keni besuar përmbysjen e një shteti që nuk ka lidhje me demokracinë dhe votën e lirë. Interesat e demokratëve janë më të shenjta se çdo gjë dhe se çdo kush. Hijet e së kaluarës nuk duhet t’ju turbullojnë. Kulti i individit që tërhoqëm zvarrë më 20 shkurt nuk mund dhe nuk mund të ringrihet më në asnjë formë. Detyra ime sa i takon partisë tonë është diçka tjetër, jo përmes manipulimit, skemave, intrigave apo akoma më keq mendësisë së shkuar që mban peng akoma vendin, politikën, shoqërinë, por përmes parimeve që kanë formësuar shoqëritë elita të Evropës të mos bëj atë po tentojnë të bëjnë sot aktorët 30-vjeçarë të tranzicionit. Po e bëra dhe unë kam vënë një tjetër tullë në murin e tranzicionit që vazhdon ët na mbajë të ndarë nga ëndrrat që Shqipëria të jetë si gjithë Evropa”, tha Basha.









































