Google search engine
Home Politike Drejtesi Kushtetuesja, Apeli rikthen në garë Zhaklin Peton dhe prish planet për të...

Kushtetuesja, Apeli rikthen në garë Zhaklin Peton dhe prish planet për të mbajtur në detyrë Vitore Tushën, intervistohen nga KED dy kandidatët e parë

0
338

Ndryshon situata në garën për Gjykatën Kushtetuese. Teksa po tentohej që Vitore Tusha të mbahej në detyrë dhe të mos lejohej plotësimi i vakancën së saj, surprizat kanë ardhur nga Apeli Administrativ. Gjykata ka pranuar padinë e Zhaklin Petos, e cila garonte për dy vende vakante në Kushtetuese, atë të Fatmir Hoxhës dhe atë të Vitore Tushës. Gjykata e Apelit Administrativ vendosi pranimin e pjesshëm të padisë së Zhaklin Petos, duke shfuqizuar vendimin e mëparshëm të KED. Me rikthimin saj në lojë ndryshon tërësisht situata. KED prej disa muajsh ka nisur plotësimin e vakancën së Fatmir Hoxhës dhe Vitore Tushës. Për emrin e parë u kualifikuan 4 kandidatë, ndërsa për vakancën e Tushës vetëm 2. Duke qenë se ligji kërkon që 3 emra të shkojnë në institucionin e emërtesës, nuk u vijua me procesin e pikëzimit dhe u informua Gjykata e Lartë për situatën dhe kjo e fundit duhej të vendoste nëse do e rihapte garën apo jo. Por tashmë Peto u rikthye në garë dhe shkon në 3 numri i emrave për vakancën e Tushës, çka hap rrugën që të vijohet me renditjen e kandidatëve. Lidhur me situatën reagoi edhe vetë KED. “Këshilli i Emërimeve në Drejtësi u vu në dijeni të vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit në lidhje me padinë e paraqitur nga kandidatja Zhaklina Peto, kundër vendimeve për ndalim Nr.16 datë 18.11.2021 dhe Nr.17 datë 18.11.2021 të KED. Gjykata Administrative e Apelit ka vendosur prishjen e vendimeve dhe kthimin e kandidaturës në procesin e vlerësimit të kritereve ligjore. KED vlerësoi të presë vendimin e arsyetuar në lidhje me çështjen për të vijuar më pas me procedurën ligjore mbi këtë kandidate”, tha KED përmes një njoftimi për mediat.

Nis renditja e kandidatëve

Ditën e djeshme Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka nisur procesin e renditjes së kandidatëve për vakancën e Fatmir Hoxhës. Dje është bërë intervista me gojë dhe testimi i gjuhës së huaj për dy emrat e parë, ndërsa më pas do të vijohet me emrat e tjerë. “Sikurse ishte njoftuar KED vijoi sot me zhvillimin e intervistës, testimin e njohurive të gjuhës së huaj me kandidatët e lejuar që kandidojnë për gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese, në vendin vakant të ish gjyqtarit Fatmir Hoxha, të rishpalluar nga Gjykata e Lartë në datë 03.06.2021. Në intervistë u morën kandidatët Albert Demirneli dhe Alket Jaupaj, ndërsa për kandidatët e tjerë do të zhvillohet e njëjta procedurë, në mbledhjen e radhës e cila do të njoftohet nga KED”, thuhet në njoftimin e KED.

Procesi i përzgjedhjes

Sipas ligjit, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pas vlerësimit të kushteve dhe kritereve të emërimit, brenda 10 ditëve rendit kandidatët dhe i paraqet Kryetarit të Gjykatës së Lartë raportin e miratuar me shumicën e të gjithë anëtarëve, bashkë me listën dhe dokumentacionin shoqërues, për çdo kandidat. Raporti i arsyetuar, pasi miratohet me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, publikohet. Më pas, Kryetari i Gjykatës së Lartë thërret mbledhjen e Posaçme të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë. Mbledhja është e vlefshme nëse marrin pjesë jo më pak se një e dyta e të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë. Nëse nuk arrihet shumica e nevojshme, kandidati i renditur i pari nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi konsiderohet i zgjedhur.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here