Përfaqësuesja e Shqipërisë në futboll i mbylli eliminatoret e Botërorit Katar-2022 në grupin I në vend të tretë, me 18 pikë të grumbulluara, një rezultat që u konsiderua mjaft i mirë dhe mori vlerësim edhe nga vetë Federata Shqiptare e Futbollit, gjë që shpuri edhe në vazhdimin e kontratës me Edi Rejën. Në këtë sukses, 6 pikë mund të quhen meritë e një lojtari të vetëm, Armand Brojës. Sulmuesi 20 vjeçar që ka dalë nga akademia e Çelsit dhe që këtë sezon luan për Sautheptonin në Premier League, shënoi nga një gol në dy ndeshjet ndaj Hungarisë, pavarësisht se luajti pak minuta në këto eliminatore. Ndërkohë, goli i fundit i shënuar me Sautheptonin në Premier League, e ka vënë atë në qendër të vëmendjes mediatike britanike e më gjerë. Armando Broja i kishte dhënë sinjalet në sezonin e kaluar teksa luante për Viteshe se ishte një lojtar me potencial të madh. Sulmuesi ia doli të evidentohej në elitën holandeze duke shënuar 10 gola dhe jo më kot Çelsi i rinovoi kontratën dhe ruajti pronësinë e talentit të kombëtares shqiptare, por e huazoi tek Sauthemptoni.
Rezultati i “shenjtorit” të ri në Premier
Sikurse shkruajnë mediumet sportive angleze, Broja ka shënuar deri në këtë pikë të sezonit pesë gola, tre prej tyre në kampionat, ndërsa është shndërruar në lojtarin kryesor të “Shenjtorëve”. Deri më tani është një test i kaluar për shqiptarin, megjithatë vetë Broja në një intervistë të fundit për “Dailyecho”, thekson se ai e mban kokën ulur dhe se kërkon të përmirësohet çdo ditë, ndërsa shton se po e shijon shumë eksperiencën në Premier League. “Po e shijoj shumë eksperiencën e këtij sezoni dhe deri tani ka qenë një çmenduri. Unë jam një lojtar i ri dhe është e mrekullueshme të kesh një shans për të shkëlqyer në Premier League, të kesh mundësinë të stërvitesh me lojtarë me eksperiencë dhe të bëhesh një futbollist më i mirë. Është një ëndërr e bërë realitet, po mundohem të përmirësohem çdo ditë dhe të mësoj më shumë. Në Premier League ka gjithnjë shumë konkurrencë, është liga më e vështirë në botë. Edhe në organikën e skuadrës do të ketë gjithnjë konkurrencë, por nuk e kam problem. Unë do ta mbaj gjithnjë kokën ulur dhe do të mundohem të ndihmoj sa më shumë ekipin. Jam i lumtur për golin ndaj Brajton, por më kryesorja është rezultati që merr ekipi. Ishte për të ardhur keq që nuk morëm tre pikët. Ishte zhgënjyese që pësuam atë gol në fundin e ndeshjes”, u shpreh Broja.
Vlerësimet për Brojën si një prej 15 talenteve më të mira
Sulmuesi kuqezi, Armando Broja po merr vëmendjen jo vetëm të tifozëve shqiptarë, por edhe të mediave të huaja. Ai ka arritur që të realizojë tre gola në katër ndeshjet që e ka nisur si titullar. E vetmja herë kur Broja nuk ka shënuar nga minuta e parë ishte ndeshja ndaj Liverpulit, ku sërish ishte lojtari më i rrezikshëm. Së fundmi është media spanjolle “Fichaje.net” që ka vlerësuar 15 lojtarët që kanë surprizuar për mirë në Premier League. Te kjo listë përfshihet edhe Armando Broja me përshkrimin: “Sulmuesi është i huazuar nga Çelsi te Sauthempton dhe ka startuar për shkak të nivelit të dobët të Adam Arsmtrong. Ai luan mrekullisht me Che Adams dhe qetësia për të shënuar është e pabesueshme. Një lojtar për t’u parë”, shkruhet në vlerësim.









































