Bajerni fitoi me Barcelonën 2-0, duke e zbritur në Europa League, diçka e rrallë ndër dekada për ekipin blaugrana, që nuk e kalon grupin
Champions League dhuroi mbrëmë emocionet e fundit të fazës së grupeve dhe ky tur mbyllet për këtë edicion, ku përcaktohen edhe ekipet e kualifikuara. Në grupin E, Bajerni i Mynihut tregoi se është skuadër e madhe dhe një prej skuadrave më në formë të Europës. Mposhti Barcelonën 3-0 duke e nxjerrë këtë të fundit nga zona Champions. Shënuan Muller e Sane në pjesën e parë dhe Musiala në pjesën e dytë, në një duel të dominuar plotësisht. Katalanasit përfundojnë në vend të tretë në grup dhe rrjedhimisht zbresin në Ligën e Europës. Si vend i dytë do të vazhdojë në Champions League skuadra portugeze e Benfikës, që mundi mbrëmë Dinamon e Kievit me shifrat 2-0. Ndërkohë, në grupin F, Bergamo u pushtua nga bora, çka ndikoi që të shtyhet ndeshja Atalanta-Vilareal, një “finale” për të dy skuadrat në Champions League. Fitorja është alternativa e vetme për Berat Gjimshitin me shokë, teksa fituesit në fuqi të Europa League luajnë për dy rezultate për t’u kualifikuar në 16 ekipet më të mirë të kontinentit. Pas diskutimeve të shumta, UEFA vendosi që kjo përballje të shtyhet për sot. Në grupin G, ku çdo gjë ishte e hapur, Lila franceze u tregua jo vetëm e fortë, por kryelartë përballë Volfsburgut, duke e mundur brenda në Gjermani 1-3, dhe duke siguruar vendin e parë në këtë grup me 11 pikë. Ndeshja tjetër ishte duel direkt për vend të dytë midis Salzburgut dhe Seviljes, ku fituan austriakët 1-0 dhe kaluan turin, kurse Sevilja do të luajë në Ligën e Europës. Në grupin H, Juventusi mbylli grupin në vend të parë, pas fitores minimale 1-0 ndaj Malmos, me një gol të Kean. Po në këtë grup, ?elsi u kualifikua si vend i dytë, pasi barazoi me Zenitin 3-3. Rusët do të luajnë në Europa League si vend i tretë. Kurse suedezët e Malmos e mbyllin të fundit dhe kthehen në shtëpi.









































