Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka të ngritur prej kohësh një zyrë të posaçme për Tatimpaguesit e Mëdhenj, me seli në Tiranë. Brenda kësaj zyre është edhe struktura e mbledhjes së borxhit, që drejtohet nga Nazmi Xhelili.
Xhelili ka në dorë mekanizmin shtrëngues që të sigurojë pa diskriminim, apo favorizim, që kjo kategori biznesesh të shlyejë detyrimet tatimore në arkën e shtetit, edhe përmes bllokimit të llogarive bankare të bizneseve.
Por, nën drejtimin e Xhelilit, zyra e vogël e Tatimeve me qarkullime të mëdha të të ardhurave është shndërruar në një shkop, që herë përdoret për dorën e ligjit, herë për dorën e Maliqit. Gazeta Shqip mëson se kategori të caktuara biznesesh VIP me fatura detyrimesh tatimore që shkojnë në disa miliona euro po tolerohen nga tatimet, ndërsa inspektorët merren me gjueti shtrigash te bizneset të caktuara, me gjasë sipas udhëzimeve të Xhelilit.
Skema “ca të njerkës e ca të nënës” zbatohet prej disa kohësh në këtë drejtori, ku biznesi VIP që e “ka mirë” me drejtorin e mbledhjes së borxhit tolerohet, ndërsa biznesi që është shpallur “armik” goditet e kalohet në sitë të imët.
E në kohën që inspektimet e udhëzuara nga Nazmi Xhelili përqëndrohen në aksione gjuetie shtrigash te biznese të caktuara, bizneset me detyrime mijëra e miliona euro pa derdhur në arkën e shtetit në formën e tatimeve tolerohen.
Mes debitorëve ka madje edhe kompani që janë 100 për qind në pronësi të shtetit, të cilat ndonëse janë debitore, Zyra e Tatimpaguesve të Mëdhenj, e drejtuar nga Nazmi Xhelili nuk u ka bllokuar llogaritë bankare, ashtu siç ka ndodhur me sipërmarrje të tjera që janë penalizuar nga ky bllokim llogarish për detyrime të papërfillshme në krahasim me debitë e bizneseve që tolerohen.
Energjia e koha e harxhuar nga kjo zyrë e biznesit VIP me gjueti shtrigash, favorizon ato që përvoja e të shkuarës na mëson duke u lënë hapësirë bizneseve të mëdha që të ngrenë skema të mirëfillta mashtrimi me TVSh-në, që i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm miliona eurosh.
Një skemë e tillë u zbulua vetëm dy vite më parë, kur pas një hetimi u mësua se 18 milionë euro u zhvatën nga buxheti i shtetit në një skemë fiktive me blerës e shitës, ku të përfshirë ishin një numër i madh subjektesh VIP.








































