Festivali i Këngës në Radio Televizionin Shqiptar këtë vit zhvillohet në mbrëmjet e datave 27, 28 dhe 29 dhjetor në Pallatin e Kongreseve. Në edicionin e 60 të festivalit këtë vit marrin pjesë në konkurrim njëzet këngë. Drejtori i festivalit Martin Leka, i ka besuar konceptit të regjisorit Redi Treni, skenografi të Albi Çifligut, me skenar të gazetareve Zefina Hasani e Kozeta Kurti, nën moderimin e Xhemi Shehut, Jonida Maliqit, Isli Islamit dhe Kelvi Kadillit. Drejtor artistik është Elton Deda. Edicioni i 60-të i Festivalit të Këngës në RTSH në Pallatin e Kongreseve, rezervon pjesëmarrjen e veçantë të kantautorit, drejtuesit televiziv e producentit Ardit Gjebrea, në një rol të veçantë mbi historinë e festivalit dhe disa prej emrave më të njohur të tij. Netët e festivalit do të jenë me publik me numër të kufizuar, duke respektuar certifikatën e vaksinimit dhe tamponin me rezultat negativ. Më herët nga rezultati i anëtarëve të komisionit të përzgjedhjes së këngëve, përbërë nga Ardit Gjebrea, Elton Deda, Marjan Deda, Klodian Qafoku, Zefina Hasani, Arta Marku, Redi Treni në festivalin e 60-të, do të konkurrojnë midis tyre këngët e interpretuara nga Alban Ramosaj, Denis Skura, Evi Reçi, Gjergj Kaçinari, Janex (Xhejn Kumrija), Kastro Zizo, Kelly, Mirud, Rezarta Smaja, Ronela Hajati, Saimir Çili, Stefi dhe Endri Prifti, Shega, Urban Band, Eldis Arrnejti, Ester Zahiri, Kejsi Rrustja, Olimpia Smajlaj, Viola Xhemali dhe Xhuljana Pjetra. Një vit më parë në edicionin e 59 u shpall fituese kënga “Karma” kënduar nga Anxhela Peristeri, cila përfaqësoi dhe Shqipërinë në “Eurovision 2021”. Festivali i parë në Radio u zhvillua në 4 net: 21-23 dhe 26.12.1962 dhe prezantua nga Margarita Xhepa e Luigj Gurakuqi. Nismëtarët e këtij festivali ishin përgjegjësi i redaksisë së muzikës në Radio, Abdulla Grimci, dhe redaktori i po kësaj redaksie Vath Cangu, në të njëjtën kohë autorë këngësh. Festivali u zhvillua në skenën e Operas, që në atë kohë ndodhej në ndërtesën e Konservatorit të Tiranës.









































