Arben Sako: Po mbyllim një vit të vështirë, por volejbolli i meshkujve tejkaloi pritshmëritë, vitin e ardhshëm presim më shumë investime

0
237

Volejbolli në Shqipëri është një sport me traditë. Madje skuadrat tona të volejbollit ndër dekada kanë pasur një paraqitje të mirë edhe në aktivitetet ndërkombëtare, ku kanë shënuar edhe pozicione nderi si në volejbollin e meshkujve dhe atë të femrave. Këtë sharm dhe traditë volejbolli e ruan, edhe pse çdo kohë ka të veçantat e saj. Ndërkohë, teksa në institucione presin me padurim festat, apo dhe hapje e mbyllje tenderash, në palestrat dhe pallatet e sportit ka njerëz që stërviten, por edhe trajnerë pasionantë që përpiqen të mbajnë lart cilësinë e volejbollit. E një ndër ta është dhe trajneri i Kombëtares U-20 meshkuj, Arben Sako, i cili këtë edicion drejton ekipin e Tiranës. Për të ky vit ishte i vështirë, për shkak të pandemisë por edhe problemeve të tjera, por ai kujton se pavarësisht vështirësive, sidomos në volejbollin e meshkujve ka pasur arritje të pamohueshme. Duke analizuar me kujdes treguesit, ai sheh me optimizëm drejt të ardhmes, por, në këtë intervistë të dhënë për gazetën “SOT”, ai apelon tek institucionet që të rritet investimi në sport e të zgjidhet një herë e mirë çështja e sponsorizimit.

– Volejbolli, njëjtë sikurse i gjithë sporti shqiptar, pati problemet e tij gjatë këtij viti, ku padyshim pasojat e pandemisë u ndjenë edhe këtu. Në cilësinë e trajnerit të Kombëtares U-20, të skuadrës së Tiranës dhe si një specialist me përvojë të gjatë, deshëm mendimin tuaj për ecurinë e volejbollit gjatë këtij viti. Si mund ta përkufizosh?

Nuk mund të them që jam shumë i kënaqur, natyrisht që shumë më tepër do të dëshironim të gjithë, por në kushtet e pandemisë dhe të vetë kushteve ku ndodhet Federata Shqiptare e Volejbollit, prapë them se volejbolli, veçmas volejbolli i meshkujve, ka pasur një hop cilësor. Unë këtë hop e shoh në disa pika të rëndësishme. Së pari treguesi viziv, apo ai fizik, ku sot kemi djem të fuqishëm në këtë sport, me gjatësi trupore mbi dy metra dhe që janë elementë ë premtojnë shumë për të ardhmen. Së dyti, edhe pse kemi operuar në kushte vështirësie, është rritur cilësia. Kjo ka ndodhur sepse është punuar mirë edhe me paratërinjtë dhe të rinjtë dhe kjo kategori ka pasur një performancë të shkëlqyer në garat ndërkombëtare, duke na mbushur me gëzim e duke na dhënë shpresë. Falë kësaj pune ekipet tona nuk janë më thjeshtë për pjesëmarrje, apo për të luajtur si të barabartë, por futen në fushën e lojës për të fituar. Kjo është arritje e madhe, një shkallë më lart e volejbollit shqiptar. Në aspektin personal, si trajner, pata fatin të drejtoj dy ekipe gjatë viti 2021. Fillimisht Erzenin e Shijakut, e më pas Tiranën. Me Erzenin luajtëm në Champions League dhe bëmë një paraqitje fantastike, por që, duhet pranuar, patëm short shumë të vështirë. E përsëris, ne nuk luajmë thjesht për performancë të mirë, apo pjesëmarrje, por për rezultat dhe ky është hop cilësor i volejbollit. Mos harrojmë që 7-8 lojtarë të ekipit tonë kombëtar luajnë në top-ligat europiane dhe më gjerë, si në ligën hungareze, në Katar etj. Parë në këtë pikëvështrim, kjo është arritje dhe për Kombëtaren.

– Ju vijoni të jeni trajner i ekipit kombëtar U-20, si është gjendja në këtë grupmoshë?

Tani mbush 21 vjet që drejtoj ekipin kombëtar të të rinjve, ose përfaqësueses U-20. Me të vërtetë ndihem mirë që kjo punë e madhe ka dhënë efekte dhe sot, nga ky produkt, ka kaluar në Kombëtaren e madhe. Me këtë ekip për një set nuk arritëm ta fitojmë medaljen e bronztë dhe mos harrojmë se Ballkani është një nga qendrat më të forta të botës në këtë sport, ku rivaliteti është shumë i madh. Pra është vështirë, por njëherësh edhe mirë sepse na ballafaqon me më të fortët. Një vit më parë ne ishim nënkampionë të Ballkanit. Këtë edicion ne humbëm përballë Bullgarisë, por Bullgaria U-21 ishte nënkampione e botës. Bëra këtë pasqyrim për t’ju kujtuar se ne kemi cilësi, kjo nuk diskutohet, dhe me këtë ekip shpresojmë të prezantohemi si duhet në eliminatoret e Europianit të kësaj moshe (datëlindja 2001), një pjesëmarrje për herë të parë. Shpresojmë shumë në një short të pranueshëm, sepse ky është një brez që premton për të ardhmen. Me këtë rast dua të falënderoj Federatën Shqiptare të Volejbollit për ndihmesën dhe për përkushtimin e saj karshi ekipeve kombëtare.

– Na flisni dy fjalë për skuadrën tuaj, Tiranën. Cilat janë ambiciet tuaja këtë edicion?

Së bashku me drejtoreshën e klubit të Tiranës, ne kemi bërë një projekt dhe ky projekt është në rrugë të mbarë. Ndërkohë, nga sot fillojnë eliminatoret e Kupës, ku ne kemi ambiciet tona, sigurisht. Më pas vjen merkato, ku besoj se klubet do të bëjnë lëvizjet e tyre për t’u përforcuar, por mendoj se edhe ne duhet të hyjmë në merkato, që të forcojmë ekipin. Faza e dytë do të jetë shumë cilësore, sepse do të vijnë lojtarë të huaj. Ata sjellin përvojë, kanë cilësi dhe volejbolli ynë fiton nga përvoja dhe kualiteti i tyre, sikurse dhe ata vetë fitojnë nga kampionati shqiptar.

– Si paraqitet rivaliteti për titull?

Aty desha të dal, që ta dini, Tirana e mbylli fazën e parë në vend të parë, pa asnjë humbje. Pra, ne jemi ekipi për t’u sfiduar, për tu mundur. Ka një arsye që jemi lart, pasi Tirana ka 6-7 muaj që stërvitet. Kjo është meritë e skuadrës, pra e lojtarëve, por sigurisht edhe e ne trajnerëve. Rivalët tanë në garën për titull janë Partizani dhe Erzeni, dy skuadra të forta dhe rivalë të denjë që besoj do të ballafaqohen me cilësi ndaj nesh. Prandaj faza e dytë pritet të dhurojë më shumë rivalitet e më shumë cilësi.

– Ndoshta s’ju takon, por si specialist gjithnjë, deshëm një mendim rreth volejbollit të femrave. Dikur ishte krenari e sportit tonë, kanë pasur një të shkuar të lavdishme. Si është niveli i volejbollit të femrave sot?

Mendoj se ka përpjekje serioze edhe në volejbollin e femrave për të arritur në nivel cilësor më të lartë dhe puna po bëhet. Në këtë gjini në fazën e dytë priten ndryshime pozitive, sepse do të rritet cilësia dhe konkurrenca. Skënderbeu nuk do të jetë i vetëm në rrugëtimin sezonal dhe objektivat e sezonit, pasi ekipe si Tirana, Partizani e Vllaznia do të bëjnë çmos për ta rivalizuar si duhet. Këto katër skuadra po i japin tonin volejbollit të femrave në Shqipëri gjatë këtij sezoni. Megjithatë, edhe pse do të ketë luftë të fortë në garën për trofetë, në volejbollin e femrave nuk do të jetë ajo cilësi që kanë meshkujt.

– Ju folët pak më sipër me nota pozitive për elementët e rinj të perspektivës, sidomos treguesit fizikë të lojtarëve, por edhe për lojtarët e përfaqësueses. Por, sa prej këtyre lojtarëve që luajnë në kampionatin shqiptar e njohin volejbollin modern?

Patjetër që janë profesionistë dhe janë në nivel europian. Unë ju thashë se kam në skuadër 3-4 sportistë që janë mbi 2 m, kanë parametra të nivelit të lartë në këtë drejtim, por nga ana tjetër nuk duhet të harrojmë se bëjmë një stërvitje cilësore, të nivelit të lartë. Por ama një gjë dua të shtoj këtu. Ne na duhet pak ndihmë nga shteti që të rrisim orët e stërvitjes. Sot një volejbollist në Europë, pra një volejbollist elitar, stërvitet deri në 5 orë në ditë, kurse ne stërvitemi 2 deri në 2.5 orë.

– Me falni, por kush ju ka penguar që ta realizoni këtë “normë” që të arrinin standardin e kërkuar?

Jo, nuk është e lehtë, s’është aq e lehtë sa mund të zgjidhet me një pyetje-përgjigje. Këta djem punojnë jashtëzakonisht shumë për të mbajtur veten dhe familjen në mjaft raste. Që të mbajnë veten u duhet të bëjnë një punë diku, prandaj s’kanë mundësi të stërviten plotësisht apo të respektojnë një stërvitje profesionale të nivelit elitar. Prandaj them që duhet ndërhyrje e shtetit, që nëpërmjet Ligjit të Sponsorizimit të zgjidhë punësimin e tyre dhe punësimi duhet bërë nga klubi nëpërmjet kontratave profesioniste në mënyrë që volejbollisti t’i përkushtohet vetëm një pune, stërvitjes me skuadrën dhe arritjes së objektivave me skuadrën e tij. Nuk duhet të harrojmë që volejbolli është sport elitar në Shqipëri dhe sporti elitar mbështetet.

– Flamurin e sporteve elitare e kanë marrë disa disiplina të tjera…

Nuk e vë në diskutim se ka edhe sporte individuale me rezultate të larta që e kanë këtë status, por historia e volejbollit është e tillë që qëndron lart, pra është sport elitar. Unë e kuptoj që futbolli është “industri e rëndë”, por edhe volejbolli ka peshën e tij. Shoh që punohet dhe puna mbështetet dhe këtë duhet ta dijë edhe shteti. Prandaj, volejbolli ishte, është dhe do të jetë sport elitar në Shqipëri. Mos harroni! Për një set jemi dënuar të mos kapim nivele shumë të larta europiane, prandaj e shoh me optimizëm të ardhmen. Meqë mu dha rasti, desha të uroj të gjithë njerëzit e lidhur me volejbollin dhe të gjithë sportistët e trajnerët shqiptarë në tërësi, t’i kalojnë këto kohë pandemie pa probleme dhe të kemi një vit të ri 2022 me më shumë investime e me më shumë arritje në sport.

Intervistoi: Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here