Prokuroria e Tiranës ka dërguar për gjykim 8 persona për shembjen e ndërtesave pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 në Tiranë. Hetimet nga prokuroria janë përfunduar vetëm për zonën e Farkës. Ndaj këtyre personave rëndon akuza për “Shpërdorim detyre” pas dëmeve që u shkaktuan nga tërmeti në disa banesa duke rrezikuar jetën e qytetarëve. Janë dërguar në gjykatë ish-kreu i ish-zyrës së Urbanistikës në Njësinë Administrative Farkë, L.Ç. së bashku me pesë punonjës të kësaj zyre. Gjithashtu janë dërguar për gjykim dhe dy kryeinspektorë Inspektoratit Ndërtimor Farkë si dhe një ndërtues. Ky i fundit ka ndërtuar një subjekt pallat në zonën e Farkës dhe nga tërmeti godina ka pësuar shumë dëmtime duke rrezikuar jetën e njerëzve. Për ish-kreun e Komunës Farkë, F. P. gjatë hetimeve është konstatuar moskryerja e elementeve të veprës penale për sa i përket dhënies së lejeve të ndërtimit dhe për këtë arsye i është kërkuar gjykatës pushimi i hetimeve ndaj tij. Veprimet e paligjshme sipas prokurorisë janë kryer kryesisht nga ish-kreu i Urbanistikës dhe kryeinspektorët. Nga Prokuroria e Tiranës bëhet me dije që pritet të dërgohen të pandehur në gjykatë edhe për zona të tjera të tërmetit. Pak muaj poas tëmretit u arrestuan 40 persona, zyrtarë dhe ndërtues për cilësi të dobët në objektet e ndërtuara.
Abuzimi me rindërtimin
Përveç abuzimeve me ndërtimin, dyshimet janë se po abuzohet dhe më rindërtimin e objekteve të prishura. Pak kohë më parë KLSH ka publikuar raport për menaxhimin e procesit të rindërtimit ku theksohej se nuk ka pasur një plan të përgjithshëm veprimi nga ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj. Sipas auditit të kryer nga KLSH, Programi i Përgjithshëm i Rindërtimit nuk është përcjellë për miratim në Këshillin e Ministrave. Mbi këtë dokument do të mbështetej procesi i rindërtimit. Në auditimin e kryer, Kontrolli i Lartë i Shtetit theksonte mungesën e dokumentimit të monitorimeve periodike të zbatimit të programit të rindërtimit dhe detyrave të caktuara për njësitë zbatuese. Sipas auditit të bërë nga KLSH rezulton se janë miratuar dhe janë dërguar gjithashtu për miratim të kryeministri projekte që nuk kanë qenë në respektim të procedurave për përfitimin nga grantet e rindërtimit. Kërkesat thuhet në raportin e KLSH nuk janë mbështetur në projekt preventiv punimesh apo akt-ekspertiza. “Lidhur me ndjekjen dhe zbatimin e detyrave të përcaktuara për Ministrin e Shtetit për Rindërtimin për përballimin e situatës së krijuar nga tërmeti i nëntorit 2019, në përfundim të auditimit u arrit në konkluzionin se, janë shfaqur mangësi në dokumentimin e veprimtarisë së MSHR-së në drejtim të: ndjekjes dhe bashkërendimit të punës për hartimin dhe miratimin e programeve të procesit të rindërtimit; ndjekjes së zbatimit të përgjegjësive dhe të detyrave (të ngarkuara për njësitë e vetëqeverisjes vendore), për trajtimin e shtetasve që kanë humbur familjarët dhe/ose kanë mbetur të pastrehë; ushtrimit të kompetencave në lidhje me raportimin dhe ngarkimin me detyra të strukturave të mbrojtjes civile; bashkërendimit të punës me ministritë dhe institucionet shtetërore për sigurimin e të dhënave të nevojshme në funksion të realizimit të programeve të procesit të rindërtimit”, thuhej në raportin e KLSH të publikuar pak kohë më parë.