“Sot 8 ditë” është një komedi karakteresh shkruar nga dramaturgu dhe poeti arbëresh i Kroacisë Josip Rela, me regji nga Elona Hyseni. Në teatrin Metropol në Tiranë erdhi për publikun një shfaqje plot të qeshura, ku më parë institucioni bënte me dije se biletat për fundjavë ishin shitur. Komedia e shkruar në vitin1932 nga autori i njohur arbëresh u shfaq në teatrin Metropol me interpretim nga Alba Shtëmbari, Elona Hyseni, Ermir Hoxhaj, Ermir Jonka, Klea Konomi, Klodjana Keco, Margent Caushi dhe Xhino Musollari. “Erdhi koha për të qeshur zemrat!” shprehej më herët teatri për këtë shfaqje, që ishte përshëndetëse në festivalin “Metrofest”. Një djalë dhe një vajzë të dashuruar janë në mes të një dileme. A duhet të fitojë dashuria e tyre për njëri-tjetrin, apo mblesëria e përcaktuar nga familjet e tyre? Po sikur dashuria dhe mblesëria ta kishin syrin në të njëjtin vend? Një komedi keqkuptimesh e sqarimesh në Metropol, që mori duartrokitjet e publikut. Ky produksion teatror i teatrit Metropol është vlerësuar më parë me gjashtë çmime në festivale teatrore, si “Shfaqja më e mirë”, “Regjia më e mirë” dhe “Aktori/ja jo protagonist më i/e mirë”. Festivali teatror “Metrofest 5” këtë vit në zhvillimin e tij ka në fokus dramën shqipe, si formë njohjeje dhe kërkimi. Për të pestin vit me radhë, teatri Metropol në Tiranë organizon festivalin dedikuar veprës shqiptare të arkivit, një realizim që i përket trashëgimisë dramatike, teatrit dhe edukimit. Deri tani në këtë festival janë shfaqur disa pjesë për publikun. Në këtë edicion të këtij viti janë përzgjedhur për t’u vendosur në skenë larmi tekstesh, që i përkasin viteve 1900.
Vepër e vitit 1932
“Sot 8 ditë” një komedi karakteresh e shkruar nga autori arbëresh i Kroacisë Josip Rela, është një pjesë me dy akte. Komedia që u rikthye disa net nëntori në teatër për publikun, u soll skenë më parë në kuadrin e edicionit të tretë të festivalit “Metrofest 3”, që u zhvillua në Metropol. Festivali pati në qendër të vëmendjes veprat shqiptare të harruara ose që nuk janë vënë asnjëherë në skenë, sjelljen në kohë dhe formën se si komunikojnë këto vepra në ditët e sotme. Vepra “Sot 8 ditë” një pjesë me dy akte, qëllimi i së cilës është të nxjerrë në pah pafytyrësinë, vrazhdësinë dhe imoralitetin e shtresës së lartë. Josip V. Rela (1895-1966), shkrimtar dhe dramaturg i shquar nga Zara e Kroacisë njihet si themelues i dramaturgjisë shqiptare në ish-Jugosllavi dhe është shumë i njohur në Kosovë. Poet dhe autor i trembëdhjetë veprave ndër të cilat “Nita”, “Sot 8 ditë”, etj, lindur dhe rritur në fshatin Arbanas të Zarës në Kroaci, ai punoi si mësues dhe drejtor teatri e drejtor shkolle në Zarë.









































