Demokratët “luftë” me njëri-tjetrin, Paloka sulmon kryebashkiaken Ademi: Nuk përfaqëson PD, është peng i Ramës dhe Ballës

0
198

Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka ka shpërthyer në sulme dhe akuza të forta në adresë të kryebashkiakes në detyrë të Shkodrës, Voltana Ademi lidhur me mospjesëmarrjen e saj në “Foltoren” e ish-kryeministrit Sali Berisha. Përmes një postimi në rrjetin “Facebook”, Paloka shkruan pa përmendur emër, se demokratët mungojnë në aksionin e PD-së, por qëndrojnë në radhë të parë në takimet me kryeministrin Edi Rama, ndërsa shigjeton zonjën Ademi, e cila ka refuzuar aksionin e Berishës, por që këtë të shtunë që shkoi është shfaqur në një takim me kryeministrin Edi Rama. Kjo strategji e ndjekur nga kryebashkiakja Ademi, ka bërë që zoti Paloka të reagojë ashpër. “Çdo demokrat , anëtar i thjeshtë apo i zgjedhur , ka të drejtë të vendosë vetë nëse merr pjesë apo jo në takimet e Berishës. Po kryetare partie apo kryetar bashkie, të zgjedhur me votat e demokratëve, që nuk shkojnë në foltoret e Berishës e pastaj i sheh në rresht të parë  në takimet e Ramës dhe Taulant Ballës, mund të përfaqësojnë këdo, po jo demokratët”, shkruan Edi Paloka. Kujtojmë që statusi i Palokës, vjen pasi Ademi u pa dy ditë më parë në një nga takimet e kryeministrit Rama, teksa ky i fundit u shpreh “i gatshëm” të plotësojë kërkesat e kryebashkiakes së Shkodrës, për pastrimin e mjedisit. Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi ka listuar disa prej problematikave lidhur me çështjen e grumbullimit dhe trajtimit të plehrave, ndërsa sipas saj problematika kryesore është grumbullimi i plehrave në 5 pika buzë lumenjve. Sipas kryebashkiakes, një prej problematikave është edhe mbetjet nga fasoneritë e qytetit, që autoritetet i kanë gjobitur disa herë, por sërish fasoneritë kanë depozituar mbetje në vendgrumbullime jo të autorizuara. Ndërsa për përplasjen e nisur në PD mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës, zonja Ademi është mjaftuar vetëm me një sqarim. “S’kam pasur mundësi të komentoj sepse kam pasur probleme familjare”, deklaroi pak ditë më parë Ademi, duke bërë që zoti Paloka të shpërthejë në sulme ndaj saj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here