Ekspozita “Pietro Marubbi dhe fotografët e Periudhës Osmane” u hap për publikun në Muzeun Kombëtar i Fotografisë “Marubi”. Muzeu shprehet se gjatë kohës që ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun, do të prezantojë disa nga autorët e ekspozuar. Muzeu ka publikuar një material për Pascal Sébah ( 1823-1186). Sipas muzeut, njëri prej fotografëve më të famshëm të asaj periudhe ishte Pascal Sébah, i cili dokumentoi panoramikat dhe jetën e përditshme të Stambollit të shekullit XIX në një seri artistike perfekte. “Ai hapi studion e tij të quajtur “El Chark Societe Photographic” në Pera, në Postacilar Street më 1857, dhe realizoi serinë e tij të parë fotografike të Stambollit më 1862. Përveç dekoratave që mori nga sulltanët osmanë, Pascal Sébah mori edhe medalje në ekspozitat e Parisit, Vienës dhe Filadelfias më 1870 dhe 1878. Reputacioni i tij vetëm u rrit nga panoramikat mbresëlënëse, fotografia stereoskopike, peizazhet, skenat e jetës së përditshme në Lindje, që nga Bursa, në bregdetin Egje e deri në Athinë, Egjipt, Libi”, shkruan muzeu “Marubi”. Në biznes me fotografin Polycarpe Joaillier (1848-1904) i cili punoi në Stamboll mes viteve 1884 dhe 1885, më 1887 Pascal Sébah ia ndërroi emrin studios në “Sébah& Joaillier”, gjë që ia ushqeu famën deri në ditët e sotme. Muzeu shkruan se më shumë se 1660 fotografi nga 2000 të realizuara në studio, janë imazhe të peizazheve të Stambollit, modës, profesioneve të ndryshme dhe shitësve të rrugës. Studioja i shiste turistëve të pasur që vinin në Stamboll, fotografi dhe panorama të Stambollit të shkrepura në intervale të ndryshme si dhe volume të monogramuara, si suvenirë të çmuar të udhëtimit të tyre. Polycarpe Joaillier e la biznesin në fillim të viteve 1900 dhe u kthyer në Francë ku së bashku me të birin Gustave Joaillier, hapën një studio fotografike në Paris. Muzeu bën me dije se kompania “Sébah& Joaillier” e ka ruajtur reputacionin e saj të shkëlqyer, që nga dita kur është çelur.
Home Aktualitet “Pietro Marubbi dhe fotografët e Periudhës Osmane”, një prej fotografëve dhe Pascal...









































