Sipas “Mundo Deportivo”, ish-trajneri i Realit të Madridit ka projektuar të marrë timonin e parizienëve në fillim të vitit 2022
Ish trajneri i Realit të Madridit, Zinedin Zidane, mund t’i marrë shumë shpejt vendin Mauricio Poçetinos në stolin parizien. “Bombën” e merkatos e hedh Mundo Deportivo, e përditshmja katalanase flet për një tratativë që po vazhdon mes dy palëve. Pasi la Realin e Madridit në fund të sezonit të kaluar, Zizu vendosi të marrë ca pushime, edhe pse është përmendur për të marrë drejtimin e disa klubeve si dhe të kombëtares franceze. Në javët e fundit mediat britanike kanë insistuar se është ai i përzgjedhuri i Mançester Junajtid, një pistë që gazeta spanjolle e përjashton, duke hedhur hipotezën PSG. Sipas saj në kryeqytetin francez nuk janë të kënaqur me punën e Poçetinos, dhe nuk bind as për rezultatet dhe as për menaxhimin e një organike plot yje, ku është përfolur edhe për keqkuptime dhe një raport jo idilik me Mesin. Është kjo arsyeja se përse PSG po provon të bindë Zidane. Klubi ka bërë një seri tratativash që janë intensifikuar në periudhën e fundit dhe që mund ta çojnë në drejtimin e skuadrës franceze shumë shpejt. Mbetet për tu parë nëse ndryshimi do të ndodhë që këtë sezon, apo në qershorin e ardhshëm, një pistë kjo më bindëse. Ndërkohë, mësohet nga mediat franceze se mbrojtësi Serxhio Ramos nis t’i shijojë stërvitjet me Mesin e Mbapenë, gati debutimi. Pra, pas shumë muajsh, ish kapiteni i Realit do të zbresë në fushë me fanellën e klubit të ri, Paris San Zhermen. Ai është stërvitur normalisht me pjesën tjetër të skuadrës edhe gjatë ditës së premte. Serxhio Ramos është gati për debutimin me PSG-në. Ish-kapiteni i Real Madrid ka lënë pas problemet fizike dhe ditën e sotme e ka kryer një tjetër seancën stërvitore të plotë me ekipin e Mauricio Poçetinos. Ai është stërvitur me Lionel Mesin, Kilian Mbapenë e gjithë skuadrën me intensitet të plotë dhe pa asnjë dyshim është gati për lojë. Sido që të jetë, Mauricio Poçetino nuk ka konfirmuar nëse do të ftohet kur PSG do të përballet me Nantes (17:00), sfidë në kuadër të xhiros së 14-të të Ligue 1. “Për një lojtar si Ramos, i klasit botëror, është e vështirë që të mos jetë në gjendje të bëjë atë që di më së miri. Por ai po punon shumë dhe duhet të jemi të durueshëm. Shpresojmë shpejt të jetë me grupin. Ai është stërvitur mirë, po bën progres do të shohim nëse do të jetë nesër me grupin. Ramos nuk ka më asnjë problem, e konfirmuar edhe nga stafi mjekësor, kështu që mund të jetë gati. Do të shohim formën e tij dhe nëse mund të jetë me grupin”, tha Poçetino.









































