Thirrja e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike më 18 dhjetor nga kreu i PD, Lulzim Basha, ka alarmuar ish-kryeministrin Sali Berisha. Ky i fundit ka dalë dje në një konferencë urgjente për shtyp sapo është njohur me vendimin e Bashës për të mbledhur Kuvendin një javë pas datës së bërë publike prej tij, ndërsa shihej qartë se lëvizja e shefit të selisë blu e kishte mërzitur dhe frikësuar. Ndonëse në mbledhjen e djeshme maratonë të Kryesisë së Partisë Demokratike, Sali Berisha ka qenë target i sulmeve të Bashës, ish-kryeministri ka zgjedhur që më shumë të kërcënojë kryeministrin Edi Rama, duke dërguar një sërë mesazhe të koduara. Me thirrjen e Kuvendit më 18 dhjetor Basha i prishi planet Berishës dhe ky i fundit dje paralajmëroi se do të shkojë te marrja me dhunë se selisë së PD. Në fjalën e tij ai dje kërcënoi kryeministrin, duke ja bërë të qartë se ai nuk duhet të ndërhyjë në këtë proces dhe të mbrojë selinë. Berisha deklaroi prerë se do shkohet te protestat masive, ndërsa sinjalet janë se do kemi një 14 shtator të dytë, por këtë herë sulmi me gjasë do jetë ndaj selisë së PD dhe jo Kryeministrisë. Berisha po mundohet të marrë garanci nga qeveria se policia dhe strukturat nuk do e pengojnë. “Sa u përket protestave, e kam theksuar dhe e theksoj prapë, populli votëdhunuar, qytetarët, të cilëve Edi Rama iu rrëmbeu votën me patronazhistët e tij, si hije mesjetare, me drogën dhe paratë e krimit, me disbursimet e thesarit, me tenderat dhe prokurimet, përbën domosdoshmëri absolute që të përballet me qytetarët që do votojnë me këmbë e duar në protestën e tyre. Për të qenë i sinqertë me ju, burri i madh i kombit gjerman, Helmut Kohl, kur gjermano-lindorët protestonin çdo ditë dhe qindra-mijëra prej tyre gjenin mënyrën për të kaluar në Gjermaninë Perëndimore, Kohl u thoshte bashkëatdhetarëve: ata po votojnë me këmbët e tyre” tha Berisha, duke kërcënuar Ramën.
Sulmet ndaj Bashës
Duke e quajtur Bashën peng të Ramës, Berisha e thirri edhe atë të marrë pjesë në mbledhjen e Kuvendit, teksa tha se 11 dhjetori do të jetë vetëm fillimi. Lëvizjen e tij, Berisha e konsideroi revolucion. “Idealet e demokratëve nuk mund t’i mposhtë askush. Peng kryetarit nuk kam më një mesazh të veçantë sepse ai komandohet nga pengmarrësi, por i them më 11 dhjetor je i ftuar të vish në Kuvendin e Partisë Demokratike. Natyrisht ky Kuvend ka meritën historike, jo vetëm në Shqipëri, por ndoshta në Europë apo më gjerë, nuk e thërret përfaqësia, por anëtarësia. E thirri anëtarësia sepse nuk deshi ta thërrasë kryesia. E njoftoj peng-Bashën se data 11 është vetëm data e fillimit të Kuvendit. Kuvendi vazhdon veprimtarinë deri me rivendosjen e plotë të pluralizmit politik në Shqipëri. Mos mendo Edvin se duke vjedh data do mund t’i dalësh përpara këtij Kuvendi. T’i keni të qarta gjërat, ky është revolucion paqësor, por askush nuk mund të luaj me të”, nënvizoi ish-kryeministri Sali Berisha.








































