Qeveria synon të rrisë më shumë se plani pensionet vitin që vjen. Kjo është bërë e ditur nga zv/kryeministri Arben Ahmetaj, dje në Parlament ku u shpreh se buxheti i vënë në dispozicion do të mundësojë një rritje deri në 5 për qind për pensionet. “Janë 2.6 miliardë lekë indeksimi i pensioneve dhe 3.5 miliardë lekë paketa e fundvitit, që praktikisht janë 60 milionë dollarë. E dini sesa e kemi të gjithë shumën e fondit të pensioneve pa subvencionet? 1.2 miliardë dollarë. Që do të thotë, e rrisim pensionin vitin tjetër 5%”, tha ai. Po ashtu Ahmetaj foli dhe për rritjen e pagave. “E vërteta është që pagat janë rritur dhe do të vazhdojnë të rriten edhe këtë vit, për kategori apo për të gjithë. U rritën 40% për mjekët dhe infermierët këtë vit, rriten më tej 6% në 2022 e do shkojnë në 30% deri në fund të mandatit. 15 mijë familje të ndihmës ekonomike do marrin 3-fishin e ndihmës”, tha ai. Ahmetaj u ndal dhe te ndihma ekonomike duke dhënë detaje se kush do të përfitojë rritje të saj. “Ia arritëm mbi të gjitha të kemi paketa të reja sociale. Po 15 mijë familje të ndihmës ekonomike që do marrin 3-fishin e ndihmës? Familje me 3 fëmijë, që patjetër kanë nevojë për më shumë, patjetër. E keni parë konsolidimin fiskal sa i kujdesshëm është? Po pse është ashtu? E para të ulet borxhi, e dyta të mos thahet ekonomia”, tha ai. Zv/kryeministri foli edhe për bonusin e bebeve. “Bonusi i bebeve është gjithashtu një politikë që nuk dua ta lë pa përmendur, sepse ka të bëjë me atë politikë të re që kemi ritheksuar tashmë në buxhet, ka të bëjë me paketën e familjes. Jo më kot, iu referova 15 mijë familjeve. Jo më kot iu referova edhe rritjes së pagesës së papunësisë, është një vëmendje shtesë ndaj shtresave në nevojë”, vijoi ai.
Investimet në infrastrukturë
Zv/kryeministri deklaroi se me buxhetin e ri do të rriten investimet në infrastrukturë. Ai tha se Unaza e Tiranës do të mbyllet shumë shpejt. “Jam dakord ta debatojmë, pse nuk e kemi bërë dot edhe ju edhe ne unazën e Tiranës? Po, do mbyllet unaza e Tiranës, është mushkëria e Tiranës, patjetër. Po të më thoni pse nuk e keni bërë, do t’ju thosha s’na kanë lejuar financat publike, tani na lejojnë financat publike, fokusi është tek Tirana, se sigurisht shtimi i popullsisë, shtimi i makinave, rritja e trafikut, krijojnë atë ngërç në trafik. Dhe po e drejtë, do duhet ta kishim mbaruar më parë edhe ju, edhe ne. Por tani janë të gjitha paratë, edhe në 2022, edhe në 2023-2024 të programuara në buxhetin afat-mesëm. Llogaraja. Bashkon dy Shqipëri. Bashkon rivierën me Shqipërinë tjetër. Po. E kishit menduar? Jo, por përfitoni edhe ju dhe ata që votojnë për ju, edhe ata që votojnë për ne. Shtohet vlera e jugut të Shqipërisë në favor të gjithë shqiptarëve dhe qytetarëve të jugut”, tha ai.








































