Ekspozita përkujtimore “Zef Serembe (1844-1901)” u çel në Bibliotekën Kombëtare, në 120-vjetorin e ndarjes nga jeta të poetit arbëresh. Ekspozita që u çel të enjten sjell në vëmendje të lexuesit kontributin dhe veprimtarinë e kulturore të poetit. Veprat kryesore të arbëreshit ruhen në arkivin e bibliotekës, si: “Poesie italiane e canti originali” (1883); “Vjersha” (1972); “Poeti i Strigharit” (1977); kolanën e plotë të “Vepra” (1985); “Zonjës madhe perëndeshë Elenës Gjika: canto a Dora d’Istria” (1986); “Poezi të zgjedhura” (1999); “Këngëtari i dashuruar : vjersha të zgjedhura” (2002); “Zotit : këngë shumëmetrike = A Dio : canto polimetrico” (2004), si dhe “Më të bukurës që është në Strigar” (2005). Një vend të veçantë zënë edhe studimet mbi figurën dhe veprën e lirikut arbëresh. Zef Serembe lindi në Strigar të Kozencës dhe ndoqi studimet në kolegjin e Shën Adrianit, ku pati mësues Jeronim de Radën. Në vitin 1883 botoi vëllimin e parë me vjersha “Poesie italiane e canti originali” dhe gjatë krijimtarisë së tij lëvroi gjerësisht lirikën me tematikë atdhetare, filozofike, shoqërore dhe të dashurisë. Ekspozita qëndron e hapur për publikun në sallën shkencore të Bibliotekës Kombëtare. Zef Serembe në vitin 1897 ai emigroi nga Kalabria për në Amerikën e Jugut për herë të dytë dhe u përpoq të rifillonte një jetë të re në Buenos Aires Argjentinë. Në vitet që pasuan u sëmur dhe vdiq në vitin 1901 në Shën Pali, Brazil. Vjershat e Serembes kanë karakter të trishtë e melankolik, por shpesh janë patriotike e idealistike në frymëzim. Njohës të letërsisë e radhisin midis poetëve më të mirë lirikë, që letërsia shqipe ka pasur ndonjëherë, të paktën para kohëve moderne. Temat e tij shtrihen nga lirika melodioze në dashurinë e evlogisë (fjalëve të ëmbla) për vendlindjen e tij (qoftë Italia, vendlindja e tij apo Shqipëria, toka e ëndrrave të tija), poema elegante mbi miqësinë dhe bukuritë e natyrës (amtyrës), dhe vjersha me frymëzim fetar.
Home Aktualitet “Zef Serembe (1844-1901)” në Bibliotekën Kombëtare, në 120 vjetorin e ndarjes nga...









































