Liceu Artistik “Jordan Misja” në 75 -vjetor, koncert me muzikën e autorit Ennio Morricone

0
266

Krijimtaria e kompozitorit të famshëm italian Ennio Morricone erdhi përmes koncertit, që zhvilloi të mërkurën Kamerata e Orkestrës Simfonike të RTSH. Koncerti u zhvillua në kuadrin e 75- vjetorit të Liceut Artistik “Jordan Misja”. Në koncert merrte pjesë dhe mezzo-soprano VIkena Kamenica si dhe pianistja Merita Rexha Tërshana. Liceu artistik “Jordan Misja” është krijuar në 1946. Që në fillim të veprimtarisë së tij, me punën dhe angazhimin tregoi se është një qendër e rëndësishme edukative dhe arsimore për përgatitjen e artistëve të rinj në gjini të ndryshme të artit. Liceu artistik “Jordan Misja” për disa dekada ishte e vetmja shkollë e mesme artistike në Shqipëri. Për themelimin dhe ngritjen e këtij liceu kontribuan pedagogët dhe artistët e mëdhenj shqiptarë, skulptorët: Odhise Paskali, Janaq Paço, Kristina Hoshi, (e para grua skulptore, shqiptare), Andrea Mano, etj; piktorët Foto Stamo, Abdurrahim Buza, Kel Kodheli, Sadik Kaceli, Nexhmedin Zajmi, Guri Madhi, etj. Në dramë Mihal Popi, Zina Andri (Pano), Naim Frashëri, Kadri Roshi, etj. Në muzikë kompozitorët Çesk Zadeja, Tish Daija, Avni Mula, Kozma Laro, Feim Ibrahimi, Simon Gjoni; dirigjentët: Mustafa Krantja, Rifat Teqja, violinisti Ludovik Naraçi, artistë të vokalit Marie Kraja, Nina Mula, Gjoni Thanasi, Jorgjie Truja, Shpresa Nishani, muzikologu Ramadan Sokoli etj. Në koreografi Perkunji (rus), Panajot Kanaçi, Xhemil Simitçiu, Ganimete Vendresha, Zoica Haxho, Agron Aliaj, Petrit Vorpsi, etj. Drejtori i parë ishte kompozitori Konstandin Trako. Koncerti për këtë 75- vjetor të liceut solli muzikën e autorit Ennio Morricone, i vlerësuar me shumë çmime për krijimtarinë e tij. U lind më 10 nëntor 1928 dhe vdiq më 6 korrik 2020 në Romë. Ka qenë kompozitor italian, i njohur veçanërisht për muzikën e tij të filmit. Ai klasifikohet si një prej kompozitorëve më të zot të periudhës së tij. Ai ka kompozuar muzikën e më shumë se 500 filmave dhe serive televizive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here