Ish-shefi i sektorit ligjor në burgun e sigurisë së lartë Peqin, G. Shehu ka rënë në prangat e policisë me urdhër të SPAK. Prokuroria ka dyshime se ai mashtroi institucionin e akuzës, në lidhje me kohën që Viktor Imeri, i njohur si “Tori i Xhihanes”, ka vuajtur dënimin për vrasje të dyfishtë në burgun e sigurisë së lartë Peqin. Nga hetimet rezultoi se ish zyrtari i burgut, i dërgoi SPAK të dhëna të rreme, pas një kërkesë që prokuroria i bëri institucionit të vuajtjes së dënimit, ku kërkonte informacion lidhur me periudhën, sektorin apo qelinë ku kishte qëndruar i dënuari Imeri, i cili u prangos pak muaj pasi u lirua me kusht, si i dyshuar për vrasjen e Vajdin Lamaj dhe Klodian Saliut. Ky informacion kërkohej dhe konsiderohej shumë i vlefshëm për hetimin, për të konfirmuar dëshminë e të penduarit të drejtësisë Luftar Reçi, i cili pretendonte se të dhënat për dy vrasjet e bujshme të ndodhura në vitin 2005, i kishte mësuar nga “Tori i Xhihanes”, gjatë kohës që kishte qëndruar në të njëjtin burg me të. Skandali është zbuluar në seancë gjyqësore, gjatë së cilës shqyrtohej një kërkesë e bërë nga i dyshuari, i cili kërkonte zëvendësimin e masës së sigurisë. Një nga provat kryesore ku mbështetej avokati në kërkesën e tij ishte shkresa e burgut e firmosur nga ish-zyrtari Shehu, përmes së cilës synonte të provonte se për kohën që Reçi pretendonte se ishte ndodhur në të njëjtin sektor me Imerin, ky i fundit vuante dënimin në një tjetër institucion. “Duke marrë shkas nga përmbajtja e kësaj shkrese, Prokuroria e Posaçme, kreu hetime të thelluara në drejtim të vërtetësisë së të dhënave të pasqyruara. Pas kryerjes së shumë veprimeve hetimore, u krijua dyshimi i arsyeshëm se, në shkresën e datës 14.01.2021 të nxjerrë nga IEVP, Peqin, paraqiteshin të dhëna të rreme të cilat shkonin në drejtim të lehtësimit të pozitës së të hetuarit Viktor Imeri Bajraktari”, thekson SPAK.
Dëshmia
Luftar Reçi ka rrëfyer me detaje para prokurorit të SPAK, mënyrën sesi ka ndihmuar bandën e Durrësit për të realizuar një minë me telekomandë që sipas tij është përdorur për të ekzekutuar biznesmenin Vajdin Lame, më 27 shkurt 2005. Reçi, tashmë i penduar i drejtësisë thotë se pasi iu ka siguruar minën, ai ka gjetur përmes njohjeve të tij edhe lëndën plasëse. Grupi më pas nga piceria ka shkuar tek shtëpia e motrës së Lulzim Berishës. “Rreth orës 10-11 të darkës kanë ardhur tek piceria në Durrës J… dhe pas tij A.Z… Në prezencën time, të Lulit, Plarentit, Indritit dhe J… A… ka dorëzuar një pako me lëndë plasëse në një qese plastmasi ku ishin 6 ose 8 tubete me dinamit. Pas pak kohe, Luli, Lenti, Indriti, J… dhe unë shkuam tek shtëpia e motrës së Lulit që quhej J… ishte një shtëpi trekatëshe, me shkallë nga jashtë, në oborrin e saj ishte parkuar një makinë BMË x5, me ngjyrë të zezë, me lëkurë të verdhë nga brenda. në kat të parë të kësaj banese kishte një garazh ku u futëm të gjithë ne që do të përgatisnim lëndën plasëse për të cilën nuk e dija për çfarë do të përdorej”, ka thënë ai.