Anulimi i shfaqjeve, Teatri Kombëtar: Nuk kemi dublantë, buxhetet janë shumë të kufizuara

0
657

Shfaqjet teatrore “Ferma e Kafshëve” dhe “Edmond” u anuluan gjatë këtij sezoni nga Teatri Kombëtar, ku pasi u shitën biletat u detyrua të kthejë paratë. Gjithashtu u anulua dhe një produskion i teatrit “Skampa”, që do të ishte te TK te “ArTurbina”. Shkak për anulimet ishte Covid-19, por dhe dëmtim nga aksidenti i protagonistit kryesor në njërën nga shfaqjet. Kritikave të publikut për plan B me shfaqjet, TK i përgjigjet me pamundësinë e tij për të pasur aktor dublant, siç kishte para ’90. Në një sqarim të tij, TK bën me dije se ndikon dhe buxheti. “Fatkeqësisht sot, Teatri Kombëtar ka 28 aktorë permanentë të tre brezave të ndryshëm, aktorë të cilët shpërndahen në të gjithë produksionet që zhvillon TK, dhe kjo ngarkesë në shfaqje të ndryshme e bën të pamundur dublimin e roleve. Gjithashtu, buxhetet shumë të kufizuara të institucioneve artistike publike e bëjnë të pamundur rekrutimin e aktorëve të jashtëm, në një masë të konsiderueshme e të vlefshme për dublim”, thuhet nga TK në një njoftim në faqen e tij. Institucioni shprehet më tej se e ndjen për detyrë të sqarojë gjithë publikun se sistemi i dublantit është një praktikë, e cila zhvillohet në teatrot e vendeve të lindjes me trupa shumë të mëdha permanente (80-100 aktorë) në organikën e tyre. “Këtë praktikë e ka përdorur Teatri Popullor i para viteve ’90, kur trupa e tij artistike përbëhej nga rreth 70 aktorë. Arsyet e përdorimit të sistemit të dublimit janë: repertor i ngjeshur dhe afatgjatë; turnetë e vazhdueshme të institucionit; dhe nxitja e konkurrencës për aktorët me qëllim një performancë sa më të mirë brenda roleve”, vijon TK.

Shfaqjet teatrore

Teatri Kombëtar në muajin korrik, çeli sezonin artistik për 2021 me shfaqjen “Ferma e Kafshëve”. Por TK shprehet se për fatin e keq, me rikthimin e shfaqjes në fund të shtatorit te amfiteatri i Tiranës, aktori protagonist i saj rezultoi pozitiv me Covid-19. “Ne u detyruam të rikthejmë të gjitha biletat e shitura”, pohon teatri. Pavarësisht kësaj pengese, TK thotë se nisi projektin e dytë “Edmond” të mbartur nga 2020, kohë kjo kur u ndërprenë aktivitetet me nisjen e pandemisë. “Edhe këtu frekuentimi i publikut për 4 netët e para ishte i jashtëzakonshëm. Për të dytën herë, për fatin tonë të keq, protagonisti kryesor i shfaqjes pëson një aksident serioz dhe TK detyrohet të anulojë shfaqjen dhe të lajmërojë kthimin e biletave të shitura”, vijon institucioni. Ndërkohë, TK filloi punën dhe për produksionin e tij madhështor të radhës “Coriolanus”, një shfaqje më një numër shumë të madh aktorësh në skenë. Gjatë kohës së provave për përgatitjen e kësaj shfaqje dhe në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional, Teatri Kombëtar bëri pjesë të kalendarit të tij te “ArTurbina” dy shfaqje “Vdis duke qeshur”, produksion i teatrit të Korçës, dhe “Një Madam nga Argjentina” produksion i teatrit të Elbasanit. Por TK sqaron se për herë të tretë, për fat të keq, në këtë kohë të mbrapshtë pandemie, përsëri aktori kryesor i shfaqjes, disa orë përpara saj, rezultoi pozitiv me Covid-19.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here