Prokuroria e Posaçme ka hapur dosjet e abuzimit me pronat në Gjirin e Lalëzit. Kjo zonë është bërë tashmë famshme pasi klika politike dhe shumë biznesmenë kanë blerë vila buzë detit, ku shijojnë pasuritë e tyre. Presidenti, ish-kryeministri, disa deputetë, gazetarë dhe biznesmenë janë pronarë të shumë banesave në këtë zonë. Mirëpo Prokuroria e Posaçme ka nisur hetimet ndaj Kadastrës së Durrësit për abuzime me pronat në këtë zonë. Përmes një operacioni të befasishëm SPAK ka ushtruar kontroll në banesat e 7 punonjësve të Kadastrës së Durrësit, përfshirë shtëpinë e ish-regjistruesit të këtij institucioni, B. Luku, i cili pasi është shoqëruar në polici është lënë i lirë. Kontrolli është ushtruar në banesat e punonjësve të Kadastrës V. Brahja, A. Haruni, A. Bejdolli, L. Xhizdari, A. Arapaj si dhe B. Begeja. Mësohet se procedimi ka nisur në 2020 nga SPAK për falsifikim të pronave në Hamallaj, në zonën e Gjirit të Lalzit. Zyrtarët e arrestuar po hetohen për veprat penale të korrupsionit, shpërdorimit të detyrës, falsifikimit të dokumenteve dhe grupit të strukturuar kriminal. Mësohet se SPAK ka vendosur nën sekuestro 190 mijë metra katror tokë në zonën e Gjirit të Lalëzit.
Abuzimet e njëpasnjëshme
Në vitin 2019 u zhvillua një operacion i ngjashëm. 18 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Kadastrës së Durrësit u në pranga nga policia në kuadër të operacionit “Rodoni”. Këta persona u akuzuan për “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Mashtrimi”, si dhe “Grupi i strukturuar kriminal, të kryer në bashkëpunim”. “Nga veprimet hetimore të kryera në funksion të procedimit penal Nr. 531/2019, pas një hetimi proaktiv duke aplikuar metodat speciale të hetimit, si kryerje përgjimesh telefonike, filmime, përgjime ambientale dhe vëzhgime, rezultoi se shtetasit e mësipërm në bashkëpunim me njëri-tjetrin në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, kanë tjetërsuar sipërfaqe toke prej 68 000 m2, nga tokë shtetërore pa frut në tokë are dhe ua kanë shpërndarë personave të ndryshëm kundrejt përfitimit. Këtë aktivitet e kanë realizuar nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve, si të akteve të marrjes së tokës në pronësi, kartelave të pasurive në Regjistrat e Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës. Këtë sipërfaqe toke ua kanë shperndarë personave me banim në Durrës, të cilëve nuk u takonte të merrnin tokë në pronësi sipas ligjit. Në këtë veprimtari kriminale janë përfshirë ish-punonjës të ish-komunës Ishëm dhe ish-punonjës të Zyrës së Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme Durrës, të cilët duke shpërdoruar detyrën kanë kryer veprime korruptive kundrejt shumave monetare, në periudha kohore të ndryshme nga vitit 2013 – 2018, si dhe kanë ndihmuar pjesëtarët e këtij grupi kriminal duke shfrytëzuar të dhënat që dispononin për shkak të detyrës në përpilimin e dokumenteve të falsifikuara”, shprehej prokuroria në atë kohë.










































