Google search engine
Home Aktualitet Skënder Jaçe: Filmi nuk është për në sirtar, kinemaja pothuajse inegzistente në...

Skënder Jaçe: Filmi nuk është për në sirtar, kinemaja pothuajse inegzistente në qytetet e vendit, bashkitë nuk i mbajnë dot

0
216

Filmat janë për tu shfaqur te publiku, por mungesa e sallave të kinemasë në qytete të ndryshme është shumë problem sipas kineastëve. Ata shprehen se nëse në Tiranë janë disa salla ku filmi ka mundësi të shfaqet, në qytetet e tjera ato mungojnë, duke bërë që publiku mos të ndjekë filmin nga ekrani i madh i kinemasë. Producenti Skënder Jaçe, i cili prej vitesh merret në punën e tij me filmat thotë se pothuajse ekrani i madh nuk njihet në rrethe. “Kinemaja pothuajse është inegzistente në qytetet e tjera, nuk njihet fare ekrani i madh. Kjo për mungesë të sallave të kinemasë, që nuk ekzistojnë në qytete këtu e 30 vjet”, shprehet ai. Pak kohë më parë u bë me dije nga QKK për kinemanë në Gjirokastër, që shprehej se falë projektit CIRCE mbështetur nga programi Interreg IPA CBC Italy-Albania-Montenegro u realizua digjitalizimi i plotë i sallës. Producenti Jaçe thotë se duhet të ketë dhe disa punime të tjera, por ai shton se bashkitë nuk mbajnë dot kinematë. “Në Gjirokastër u çua vetëm teknika, është salla e vjetër e kinemasë që do dhe pak punime, ngrohje etj, që iu është dhënë fjala që do ti bëjnë. Por jam i mendimit që bashkitë nuk mbajnë dot salla kinemaja. Në asnjë vend të botës bashkitë nuk janë përgjegjëse”, thotë Jaçe. Prej vitesh punë me filmin, producenti Skënder Jaçe shton se për ata që do të merren me kinematë duhet të ketë politika ndihmëse. “Kinemaja është një hapësirë private. Tek ne duhen ndërtuar politika që të mbështeten privatët, që të hapin salla kinemaje. Të kenë privilegje në energji se kinemaja nuk shet patate, drita dhe figurë shet, baza është korrenti”, tha ai.

Distribucioni i filmit

Producenti Jaçe thotë se para viteve ‘90 salla kinemaje ka pasur në të gjitha rrethet. Por ai shton se pas ’90 në ato vende u bënë pallate. Jaçe tregon se para ‘90 distribucioni ishte i organizuar dhe filmi shpërndahej paralelisht. “Siç dilte filmi në Tiranë dilte në 13 rrethet e kategorisë së parë dhe pastaj në 13 rrethet e kategorisë së dytë. Sot nga mungesa e sallave në qytete të tjera të vendit nuk i jepet mundësia publikut të shijojë filmin. Filmi bëhet për të përcjellë mesazhin tek njerëzit, nuk bëhet për në sirtar. Nuk ka salla kinemaje, i shkatërruan, i prishën dhe mbi to u ndërtuan pallate. Ekzistojnë vetëm sallat e pallateve të kulturës, që dhe ato në shumë raste janë pothuajse në gjendje të mjeruar”, thotë ai. “Open Cinema” kinemaja shëtitëse nëpër Shqipëri zhvilloi këtë vit edicionin e pestë, duke sjellë për publikun prodhime të filmave shqiptarë dhe të huaj. Një aktivitet, që u vlerësua nga publiku. Producenti Skënder Jaçe, i cili organizon “Open Cinema” thotë se për të mbajtur gjallë këtë aktivitet rëndësi kanë fondet, që duhet të sigurohen. Në vitin që vjen do të jetë edicioni i gjashtë i “Open Cinema”, ku Jaçe tregon se pa ndihmën e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë nuk do të zhvillohej dot me filmat. “Kinema e hapur bëhet në natyrë, një format që bën gjithë bota. Pa mbështetjen QKK ne nuk do ta mbanin dot këtë aktivitet”, thotë Jaçe. Me filmat vitin që vjen “Open Cinema” do të jetë në 20 bashki.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here