Google search engine
Home Aktualitet “Një madam nga Argjentina” dy mbrëmje te “ArTurbina”, aktori Xhuliano Brisku: Një...

“Një madam nga Argjentina” dy mbrëmje te “ArTurbina”, aktori Xhuliano Brisku: Një komedi argëtuese

0
290

“Një madam nga Argjentina” është një komedi situatash, ngjarjeve të pamundura plot surpriza e veprim. Prodhim i teatrit “Skampa” Elbasan, komedia mbrëmjen së mërkurës dhe të enjtes do të jetë për publikun te Teatri Kombëtar te “ArTurbina”. “Një madam nga Argjentina” është një adaptim i regjisorit të mirënjohur Adonis Filipi bazuar në veprën “Madam Barcelona”, nga autori Tomas Brand. TK shprehet të qeshim së bashku me këtë komedi brilante. “Nën interpretimin e mrekullueshëm të aktorëve Helidon Fino, Xhuliano Brisku, Donald Shehu, Egla Ceno, Algiona Aga, Elona Mamo, Mario Elezi, Dhimitër Topuzi”, shprehet teatri. Charls është roli që luan aktori Xhuliano Brisku. Ai tregon se në Tiranë publiku do të gjejë një komedi argëtuese. ““Një madam nga Argjentina” është një komedi argëtuese, e cila nuk është vetëm argëtuese për spektatorin, por edhe për vetë ne aktorët. “Një madam nga Argjentina” solli tek unë veten time në rrethana të një loje dashurie, duke krijuar një ngatërresë për hir të dashurisë dhe zgjidhjen e kësaj loje, duke u bashkuar me vajzën që unë dashuroj në vepër. Spektatori e priti jashtëzakonisht mirë, për shkak dhe të mbylljes nga pandemia dhe kishte nevojë për këtë çlirim nga kjo komedi kaq e këndshme edhe argëtuese!”, shprehet ai, për këtë komedi prodhim i teatrit “Skampa” , që u shfaq më parë për publikun në Elbasan. Aktori Xhuliano Brisku thotë se ndihet i kënaqur që kjo komedi po vjen në Tiranë, në Teatrin Kombëtar. “Kjo shfaqje i ka të gjitha komponentët për të qenë një shfaqje e denjë për atë sallë, dhe për publikun e Tiranës. Jam i emocionuar për këto 2 shfaqje, që do të sjellim dhe publiku të shijojë një komedi kaq argëtuese. Ne jemi gati, vetëm publikun presim dhe të filloj loja e “Madamës””, shprehet ai.

Komedia në skenë

 “Një madam nga Argjentina” në fizionominë e vet dramaturgjike që duket si përqasje e veprave të Kristo Floqit, ku marrëdhëniet lëvizin ndërmjet farsës dhe komedisë, vjen si komedi situatash, situatave absurde, ngjarjeve të pamundura plotë surpriza e veprim. Pabarazia ekonomike bëhet pengesë e realizimit të lidhjes së dy studentëve të huaj me dy vajza studentesh, në një nga qytetet Europiane. Ato kanë nga mbrapa murin- pengesën e lartë, të dashurit e tyre duhet të kenë garanci financiare, në të kundërt lumturia e të dy palëve rrezikohet seriozisht nga “xhebraili” kujdestar i vajzave. Një teze milionere me vonesën e saj ka vënë në rrezik bekimin e lidhjes së të dashuruarve. Dhe në këto kushte një mik, një shok në raste të tilla është një “shpëtimtar” nga nevoja. Dhe ky kalvar drejt bekimit të lidhjes së tyre, të dashurisë kalon përmes ngërçeve, situatave absurde, të papriturave që lindin e shoqërohen nga tensioni, befasia, kënaqësia, humori. Skenograf në shfaqje Sokol Sejdini, kostumet Sofi Kara dhe koreografia lëvizëse realizohet e drejtohet nga koreografi Artan Ibershimi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here