Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar këtë vit është në edicionin e 60. Festivali do të zhvillohet në datat 27, 28 dhe 29 dhjetor. Kantautori i njohur Elton Deda do jetë udhëheqës artistik, gjë të cilën e ka bërë me dije përmes një statusi në rrjetet sociale. Në faqen e RTSH thuhet se edicioni i 60-të i Festivalit të Këngës ka nisur zyrtarisht punën, me përfundimin e përzgjedhjes së 20 këngëve pjesëmarrëse, përfshirë edhe kategorinë e të rinjve. Këngët që kanë mbërritur në zyrën e festivalit janë renditur përpara komisionit me numra rendorë, pa asnjë informacion shtesë në lidhje me autorët apo interpretuesit e tyre, dhe janë vlerësuar me notë “kaluese” dhe “jo kaluese”. Nga rezultati i anëtarëve të komisionit të përzgjedhjes së këngëve, përbërë nga Ardit Gjebrea, Elton Deda, Marjan Deda, Klodian Qafoku, Zefina Hasani, Arta Marku, Redi Treni në festivalin e 60-të, do të konkurrojnë midis tyre këngët e interpretuara nga Alban Ramosaj, Denis Skura, Evi Reçi, Gjergj Kaçinari, Janex (Xhejn Kumrija), Kastro Zizo, Kelly, Mirud, Rezarta Smaja, Ronela Hajati, Saimir Çili, Stefi dhe Endri Prifti, Shega, Urban Band, Eldis Arrnejti, Ester Zahiri, Kejsi Rrustja, Olimpia Smajlaj, Viola Xhemali dhe Xhuljana Pjetra. Në një status të tij kantautorit Elton Deda që këtë vit bëri me dije se do të jetë udhëheqës artistik shkruan se do ndërtojnë një gjë të bukur. “Detyra e udhëheqësit artistik të Festivalit RTSH është detyrë. Kënaqësia është komplet tjetër. 60-vjetori ku babi im ka derdhur gjak për çdo notë, është detyrim për të bërë diçka që emrin e tij dhe të RTSH-së ta nderojmë! Të nderojmë asetin më të madh që RTSH ka, quhet Orkestra Simfonike! Me një bend fantastik, avash avash do ndërtojmë një gjë të bukur, një gjë që është larg ulërimave politike, një gjë që është thjesht art për art! Coming soon! Fest 60 RTSH!”, shprehet ai. Një vit më parë në edicionin e 59 u shpall fituese kënga “Karma” kënduar nga Anxhela Peristeri, cila përfaqësoi dhe Shqipërinë në “Eurovision 2021”.











































