Ditën e djeshme kanë rënë në prangat e Policisë Vlorë dy punonjës të zyrës së Urbanistikës në Bashkinë Vlorë. Zyrtarët e arrestuar janë përgjegjësi i zyrës së Urbanistikës R. Hekurani dhe specialisti i zyrës në Bashkinë Vlorë, K. Mehmetaj. Të arrestuarit akuzohen për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim. Ata dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën duke i miratuar një leje ndërtimi shtetasit N.K. banues në Vlorë dhe ky i fundit e ka tejkaluar duke ndërtuar një kat shtesë. Edhe për këtë të fundit është caktuar masa e sigurisë “Arrest me burg” për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm”. “DVP Vlorë/Vihen në pranga 3 shtetas, 2 prej tyre për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”. Nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, u bë ekzekutimi i vendimit të datës 09.11.2021, i Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, e cila ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg” për shtetasit:-R. H., 33 vjeç dhe K. M., 32 vjeç, të dy banues në Vlorë, me detyrë punonjës pranë zyrës së Urbanistikës, Bashkia Vlorë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim; -N. K., 53 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm””, njofton policia. Gjithashtu ditën e djeshme në pranga ka rënë dhe një tjetër zyrtar në Qarkun Vlorë. I arrestuari është topografi i Bashkisë Himarë, arrestimi të cilit ka ardhur në kuadër të hetimeve për tjetërsimin e pronave. Elton Marko 41 vjeç, i cili mbante detyrën e topografit në Bashkinë e Himarës ka rënë në pranga pasi dyshohet se ka falsifikuar formularin e Aktit të Marrjes së Tokës në Pronësi, që e ka përdorur për regjistrim pasurie në fshatin Dhërmi e më pas e ka shitur te persona të tjerë. Më herët për falsifikim dokumentash dhe tjetërsim prone u arrestuan dhe dy zyrtarë të tjerë si dhe ish-drejtori i Kadastrës Vlorë.
Abuzimet në Vlorë
Pak kohë më parë u arrestua ish-kreu i Kadastrës së Vlorës, Klodian Troci. Ai dyshohet se është pjesë e skemës së falsifikimit të një sërë dokumentesh të pronësisë në Dhërmi e Himarë. Historia me falsifikimin e dokumenteve të pronave në Dhërmi vijon prej disa vitesh, por duket se grabitja e dokumenteve nga Bardhyl Gjika ka sjellë aksionin e Policisë dhe drejtësisë. Sipas dosjes së Prokurorisë, që nga viti 2019 deri në vitin 2021, Klodjan Troci, Bardhyl Gjika dhe specialisti në drejtorinë e administrimit të tokave, Kreshnik Mino kanë bashkëpunuar duke falsifikuar dokumenteve arkivorë të pronësisë, si tapi pronësie apo përdorimi për banorë të fshatrave Himarë e Dhërmi. Gjatë kontrollit në shtëpinë e Trocit, Policia gjeti edhe një shumë parash prej 60 mijë eurosh, ndërkohë që raportohet se kanë gjetur dhe dokumente të rëndësishme. Pasi u largua nga posti i kreut të Kadastrës së Vlorës, Troci punoi për një periudhë gati tre mujore si drejtor në drejtorinë e pronave në Qarkun e Vlorës dhe më pas dha dorëheqjen. Më pas u zëvendësua nga Bardhyl Gjika.










































