Komedia “Vdis duke qeshur” po shfaqet këto ditë për publikun në skenën e “ArTurbinës” te Teatri Kombëtar. Teatri “Andon Zako Çajupi” i Korçës prezantohet në Tiranë me një komedi, që po mirëpritet nga publiku kryeqytetas. Teatri Kombëtar shkruan se publiku i mrekullueshëm ndoqi produksionin e “A. Z. Çajupi”. “Shfaqja “Vdis duke qeshur”, një sukses i vërtetë. Falenderojmë publikun e mrekullueshëm që zgjodhi të jetë me ne këto net, për të ndjekur produksionin e teatrit “A. Z. Çajupi”, i cili zbriti në skenën e “ArTurbinës” në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional me Teatrin Kombëtar”, shkruan teatri. Në Tiiranë kjo komedi u shfaq për publikun në datat 3, 4, 5, për të vijuar dhe në 6 e 7 nëntor. Vepra e autorit Paul Elliott, me regji nga Ilir Bokshi ka bërë bashkë aktorë të njohur të Teatrit të Korçës, por dhe artistë të tjerë të rinj. Skenografia e këtij projekti është nga skenografi i mirënjohur Beqo Nanaj. Regjisori Ilir Bokshi ka realizuar projekte të ndryshme të suksesshme në skenat shqiptare me vepra si “Togeri i Inishmorit”, “Menaxheria e qelqtë”, “Nata e dymbëdhjetë”, “Edipi Mbret”, “Ferma e kafshëve”, etj. Aktorja Luiza Xhuvani, një nga emrat e vlerësuar të teatrit dhe kinemasë shqiptare erdhi për herë të parë në një bashkëpunim me teatrin e Korçës. Ajo interpreton një nga rolet kryesore në komedinë “Vdis duke qeshur”. Olta Daku aktorja e mrekullueshme e humorit dhe jo vetëm është gjithashtu pjesë e komedisë “Vdis duke qeshur”. Zamira Kita, një prej aktoreve më të mira të komedisë luan rolin e Leonës, një karakter shumë i bukur. Por me role janë dhe aktorë të rinj të talentuar të teatrit Silvio Goskova e Paola Kodra. Komedia “Vdis duke qeshur” ishte më parë edhe në festivalin e teatrove “Othello”, në Maqedoninë e Veriut. Pas teatrit “Skampa” në qytetin e Elbasanit, komedia “Vdis duke qeshur” vjen dhe për publikun në Tiranë.









































