Drama “Kapterr Behari” hapi këtë vit festivalin “Metrofest”, në teatrin Metropol. “Metrofest”, një ngjarje artistike dedikuar veprës shqiptare të arkivit. Për të pestin vit me radhë, teatri Metropol organizon festivalin dedikuar veprës shqiptare të arkivit, një realizim që i përket trashëgimisë dramatike, teatrit dhe edukimit. Në këtë edicion shprehet teatri janë përzgjedhur për t’u vendosur në skenë larmi tekstesh që i përkasin viteve 1900. “Imagjinoni ç’mund të ndodhë nëse takohen autorë të një kohe më të vjetër dhe krijues të rinj me një mori spektatorësh teatri që argëtohen dhe mbështesin … emocionohen, reflektojnë, shkëmbejnë të qeshura, lot, ide, bashkëndajnë njerëzillëk dhe premtojnë vazhdimësi”, shkruan teatri për festivalin, që nisi më 4 nëntor dhe do të vijojë dhe net të tjera me vepra deri në 9 dhjetor. Teatri shprehet se gjatë këtij muaji, prej datës 4 nëntor e deri më 9 dhjetor do të ketë mundësinë të rrugëtojë brenda trashëgimisë dramatike shqiptare. “Gjatë këtyre pesë viteve janë lexuar rreth 70 vepra shqiptare të arkivit që kanë qenë kryesisht të njohura si letërsi dramatike dhe janë vënë në skenë 20 prej tyre, të shkruara nga autorët Martin Camaj, Ernest Koliqi, Shpëtim Gina, Kristo Floqi, Lazër Lumezi, Halil Laze, Milo Duçi, At Zef Pllumi, Lumo Skëndo, Minush Jero, Jeronim De Rada, Kristë Berisha, etj. Në këto 5 vite janë angazhuar 115 artistë nga të gjitha brezat; janë tashmë dy pamje të teksteve- origjinali dhe përpunimet; janë bërë disa programe si vazhdimësi në shkolla për të rinjtë që të njihen me trashëgiminë tonë dramatike si edhe është bërë një botim nga tryeza e rrumbullakët”, shprehet Metropol.
Shfaqja e parë e “Metrofest”
Shfaqja që çeli festivalin “Metrofest”, “Kapterr Behari” shkruar rishtaz nga autori Stefan Çapaliku, sjellë në skenë me regjinë e po vetë atij, nën interpretimin e aktorëve Ervin Bejleri, Naun Shundi dhe Enisa Hysa do të jetë në skenë deri të dielën. Skenografia është kuruar nga Beqo Nanaj, muzika nga Andi Kongo dhe kostumet nga Frenci Gjerasi. As. Regjisor – Xhino Musollari. “Kapterr Behari” është drama që merret eskluzivisht me mënyrën e fabrikimit të jetëve paralele të fshehta të krijuara tek njerëzit e diktaturës. Shfaqja ka karakter koncertor në kuptimin e sjelljeve estetike të artistëve në skenë. Më së pari aktorët luajnë mbi parimet e teatrit epik, duke treguar se kush janë dhe cfarë duan, pra sipas parimeve të Breht. Së dyti ato do komportohen mbi parimet e përfshirjes në ngjarje dhe në rrethanë, mbi parimet e teatrit të Stanisllavskit. Të dyja këto sjellje estetike përmblidhen në një shfaqje minimaliste. Minimalizmi nuk do rrëfehet vetëm në skenografi dhe kostumografi, por edhe në stilin interpretativ. Kjo estetikë e bën shfaqjen kompakte dhe ekspresive. Muzika gjithashtu së bashku me elementet e tjerë të zërit do prodhohet live dhe do përbëjë një aksion të fortë skenik.









































