Gjykata e Posaçme e Apelit ka zbardhur dje vendimin për dënimin e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla me 2 vite burg. Ai u shpall fajtor për akuzën e fshehjes dhe mosdeklarimit të pasurisë, ndërkohë që vijon të jetë në arrati. Në vendimin e zbardhur jepen detaje mbi shkeljet që SPAK ka gjetur në deklarimet e pasurisë të Llallës. Sipas vendimit dhe hetimeve të SPAK, ai nuk ka deklaruar saktë shpenzimet për shkollimin e fëmijëve në Gjermani, shpenzimet për lindjen e djalit në SHBA dhe ndërtimin e katit të tretë të banesës.
Shpenzimet në Gjermani
Prokuroria ka zbuluar se Llalla nuk ka deklaruar shpenzimet për shkollimin e fëmijëve në Gjermani. Ky i fundit ka pasur atje familjen dhe ka kryer shpenzime për qera banimi dhe për shkollimin e fëmijëve. Sipas dosjes, Llalla ka firmosur një kontratë qeraje me Nortbert dhe Gabriele Ochmann, ku bie dakord që në muaj do të paguajë 1175 euro qera. Kontrata ka pasur afat 1-vjeçar. Sipas të dhënave të marra nga Berlini, Llalla i ka paguar menjëherë në dorë paratë për 1 vit qera. Pra ai u ka dhënë pronarëve të banesës 14.100 euro kesh. Por sipas hetimeve, Llalla në ILDKP ka deklaruar shpenzime për qera vetëm 7.050 euro, pra gjysmën e vlerës. Një tjetër aspekt i dyshimtë sipas organit të akuzës është ajo e shpenzimeve për shkollimin e fëmijëve në Bremen. Sipas dosjes, për shkollimin tyre në llogarinë bankare të shkollës janë derdhur 45 mijë euro nga shtetasja Sabine Jaekel Meyer. Sipas prokurorisë këtë shumë ia ka dhënë Adriatik Llalla me qëllim transferimin për llogarinë e shkollës nëpërmjet llogarisë bankare.
Lindja e djalit në SHBA
Përveç akuzës për korrupsion, një ndër arsyet që Llalla u shpall “non grata” në SHBA është dhe dyshimi se ai përdori vizën që gruaja e tij të lindte atje dhe djali të merrte shtetësi amerikane. SPAK ka vërtetuar se ai nuk ka deklaruar shpenzimet shëndetësore për lindjen e bashkëshortes në SHBA. Sipas vendimit dhe hetimeve të SPAK, bashkëshortja e Adriatik Llallës ka marrë shërbim mjekësor në Spitalin Haskensack, nga data 30 dhjetor 2016 deri në 2 janar 2017. Shpenzimet mjekësore kanë qenë në total në shumën e 22.981 dollarë nga të cilat shuma prej 17.469 janë mbuluar nga siguracioni, ndërsa shuma prej 5512 USD është paguar nga vetë pacientja. Sipas letërporosive të ardhura nga SHBA, shpenzimet mjekësore kanë qenë në total në shumën e 7.050 USD, nga të cilat shuma prej 4.850 USD është mbuluar nga siguracioni ndërsa shuma prej 2.200 dollarë nga vetë pacientja. Këto pagesa sipas SPAK, nuk janë deklaruar.
Në dosje shtohet më tej si i dyshimtë edhe ndërtimi i katit të tretë të shtëpisë private të Llallës, që shikohet si deklarim i rremë dhe fshehje për vitin kur kjo shtesë u ndërtua.










































