Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës. Ditën e djeshme kjo prokurori ka njoftuar se dosja është dërguar në gjykatë dhe janë marrë të pandehur 7 persona. Më konkretisht, SPAK ka dërguar për gjykim të akuzuarit Dritan Rexhepi, Gentjan Funiqi, Martin Bleta e Korado Kështeja. Gjithashtu të pandehur janë marrë Artan Doçaj, Aldo Majnishta dhe Geraldo Martini, ndërkohë që janë lënë të lirë nga hetimet Bajram, Leonard dhe Elton Hajri, si dhe Aleks dhe Ardian Doçajn, pasi prokuroria thotë se nuk provohet që personat nën hetim të kenë kryer veprat penale përkatëse. Sipas SPAK pengmarrja e Jan Prengës u porosit nga Dritan Rexhepi dhe Gentjan Doçaj, ndërsa ka ndodhur për shkak se i vëllai i tij Astrit Prenga kishte vjedhur një sasi kokaine. “Kjo, pasi sipas tyre, shtetasi Astrit Prenga, vëllai i viktimës ka vjedhur një sasi kokaine në Portin Portsmouth, Angli, që ju përkiste atyre, e cila ishte importuar nga Ekuadori në Angli. Ky rrëmbim është urdhëruar prej tyre me qëllim që Astriti dhe personat e tjerë të kthenin lëndën narkotike. Ndërsa organizimi i rrëmbimit është kryer nga të pandehurit Martin Bleta e Korado Keshteja, ekzekutimi i këtij rrëmbimi është kryer në Shqipëri, në datën 17.01.2020, nga të pandehurit Artan Doçaj, Aldo Majnishta, Geraldo Martini dhe një person tjetër i paidentifikuar”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Akuzat e ngritura nga SPAK
Dritan Rexhepi, Gentjan Funiqi, Martin Bleta dhe Korado Keshteja, akuzohen për kryerjen e veprave penale “Rrëmbim apo mbajtje peng e personit” kur është shkaktuar vdekja, parashikuar nga nenet 109 paragrafi i tretë dhe 28/4 të Kodit Penal, “Mbajtje pa leje e armëve luftarake”, parashikuar nga nenet 278 paragrafi i parë dhe 28/4 i Kodit Penal, “Fshehja dhe asgjësimi i kufomës”, parashikuar nga nenet 303 dhe 28/4 i Kodit Penal, “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333a/1 dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 334/1 i Kodit Penal. Artan Doçaj, Aldo Majnishta dhe Geraldo Martini akuzohen akuzuar për kryerjen e veprave penale “Rrëmbim apo mbajtje peng e personit” kur është shkaktuar vdekja, parashikuar nga nenet 109 paragrafi i tretë dhe 28/4 të Kodit Penal, “Mbajtje pa leje e armëve luftarake”, parashikuar nga nenet 278 paragrafi i parë dhe 28/4 i Kodit, “Fshehja dhe asgjësimi i kufomës”, parashikuar nga nenet 303 dhe 28/4 i Kodit Penal, “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333a/2 dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 334/1 i Kodit Penal.
Sekuestrimi i kompleksit
Pak ditë më parë gjykata e Posaçme e Apelit pushoi çështjen e kompleksit “Golden” në Shijak, duke ja kthyer atë përfundimisht pronarëve. Prona në fjalë u sekuestrua në kuadër të operacionit Forca e Ligjit, por duket se policia nuk ka rritur të sigurojë prova se kemi të bëjmë me një pasuri kriminale. Vendimi i gjykatës erdhi për shkak të tërheqjes së prokurorit të SPAK nga ankimi.
Fillimisht ishte Gjykata e Posaçme që rrëzoi kërkesën e SPAK për sekuestrimin e kompleksit luksoz, me argumentin se Altin Hajri kishte pasur burime të ligjshme dhe se prona ishte hetuar më parë nga Prokuroria e Durrësit, e cila nuk gjeti elementë të veprës penale të pastrimit të parave. Vendimi i shkallës së parë u ankimua në Apel nga prokurori i SPAK, Behar Dibra, por tërheqja e tij në seancën e konkluzioneve përfundimtare solli edhe mbylljen e sagës gjyqësore për kompleksin “Golden”. Sakaq theksojmë se, kompleksi në Shijak, ishte pasuria e parë e sekuestruar nga agjentët e Operacionit Forca e Ligjit, pasi dyshimeve se Hajri ishte përfshirë në rrëmbimin dhe ekzekutimin e Jan Prengës në 17 janar të 2020.







































