Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka vendosur të miratojë listën me emrat e kandidatëve për dy vende vakante në Strukturën e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, të cilët plotësojnë kushtet ligjore për ngritjen në detyrë, pas vlerësimit paraprak. Përmes një njoftimi për mediat, KLP zbuloi se kandidatët që plotësojnë kriteret janë Alfred Shehu, Elvin Gokaj dhe Sonila Muhametaj (Domi). Sipas Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ata do vazhdojnë garën e mëtejshme për prokurorë pranë SPAK. “Këshilli vendosi miratimin e listës me emrat e kandidatëve për prokurorë në Prokurorinë e Posaçme, të cilët plotësojnë kushtet ligjore për ngritjen në detyrë, pas vlerësimit paraprak, sipas rendit alfabetik, dhe përkatësisht: z. Alfred Shehu, z. Elvin Gokaj dhe znj. Sonila Muhametaj (Domi). Kandidatët sipërpërmendur do të vazhdojnë garën e mëtejshme për prokurorë pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK)”, thuhet në njoftim. Gjithashtu në mbledhje e djeshme KLP ka caktuar në detyrë 2 prokurorë në Lezhë dhe Krujë. “Me propozim të Komisionit për Zhvillimin e Karrierës, Këshilli vendosi për ngritjen në detyrë të z. Petrit Çano, në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Shkallës së Parë Krujë, dhe të z. Erjon Shehaj, në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Shkallës së Parë Lezhë. Me shumicë votash, Këshilli vendosi caktimin e përkohshëm, për një periudhë tremujore, të znj. Suela Beluli, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, në pozicionin e prokurores në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnje”, thuhet në njoftimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Bëjmë me dije se mbledhja e djeshme e KLP u ndoq edhe nga përfaqësues të programeve të asistencës për zbatimin e reformës në drejtësi, EURALIUS dhe OPDAT.










































