Derbi Dinamo-Tirana i luajtur dje në kuadër të xhiros së parë të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë u fitua nga “nëndetësja” me rezultatin e pastër 2-0, një fitore spektakolare po të mendohet pathyeshmëria e Tiranës gjatë javëve të fundit. Më në fund, Dinamo jo vetëm e thyen, por i kujton Tiranës se në Kupë dinamovitët duan trofeun, i cili është i barazvlershëm me pjesëmarrjen direkte në Ligën e Konferencës të sezonit të ardhshëm. Ndeshja e djeshme midis dy rivalëve kryeqytetas u luajt për raundin e 1/8-ve të Kupës së Shqipërisë. Ekipi i trajnerit Bledi Shkëmbi realizoi dy gola në pjesën e parë. Agim Ibraimi zhbllokoi takimin me një penallti të kthyer në gol (26’), teksa Xhulio Skuka dyfishoi në fundin e fraksionit të parë. Bardheblutë tentuan të shënonin një gol shprese në pjesën e dytë, por nuk ia dolën dot. Dinamo menaxhoi mirë avantazhin e dyfishtë dhe siguroi një sukses tepër të rëndësishëm, sidomos në aspektin moral. E veçanta tjetër mbiu këtë përplasje interesante dhe domethënëse për fatet e sezonit është se ky derbi do të përsëritet edhe dy herë të tjera këto ditë. Në fundjavë zhvillohet përballja për javën e tetë të Superiores, ndërsa më pas, dy skuadrat e kryeqytetit do përballen për sfidën e kthimit në Kupë.
Qëndrimi i Shkëmbit
Golat e Ibraimit dhe të Skukës i dhanë Dinamos fitoren e shumëpritur në Kupë, por edhe shansin që ajo të ndihet tani favorite për të kaluar në raundin çerekfinal. Trajneri i Dinamos, Bledi Shkëmbi analizoi fitoren e djemve të tij në prononcimin e dhënë pas ndeshjes, jo vetëm nuk e fshehu gëzimin e tij të ligjshëm për këtë sukses e ndër të tjera kujtoi që kjo ishte skuadra që ai dëshironte, pra që luan dhe shënon e fiton. “Unë nuk jam dakord me shumë ulje ngritje, jam dakord me shumë rezultate që nuk na kanë pëlqyer. Kjo është skuadra që kam në mendje, por është edhe kur humbasim. Kompliemente djemve për fitoren ndaj një kundërshtari, që është për momentin më i miri në futbollin tonë. Patëm fat, është pjesë e futbollit, por patëm raste për të shënuar edhe në pjesën e dytë”, theksoi ai, duke përgëzuar edhe autorët e golave e sidomos të riun Skuka. “Çdo trajner mendon gjithmonë ndryshe nga çfarë mendojnë njerëzit jashtë. Kam menduar vetëm rreth besimit për futbollistët, sidomos të rinjtë. Skuka ka dhënë sinjale të mirë, sot i dhamë besim dhe, për fat të mirë, na e shpërbleu të gjithëve. Haxhiu dhe Skuka po bëjnë shumë mirë, sidomos Haxhiu, i cili po merr besim, po përmirësohet. Mihana ka shumë cilësi, mund të bëjë më mirë, një gjë e tillë sjell edhe forcimin e skuadrës”, shtoi Shkëmbi. Më tej trajneri dinamovitë theksoi se kjo nuk ishte hera e parë që ekipi i tij luajti me katër sulmues. “Nuk ishte ndeshja e parë që luajmë pothuajse me katër sulmues. Për fat të mirë, ndryshimet që bëmë me Skukën, Haxhiun dhe Siljanovskin, i cili bëri një ndeshje shumë të mirë, na dha shumë siguri në mesfushë. Ndryshimet dalin për mirë ose për keq, sot shkoi gjithçka mirë për fatin tonë të mirë. Unë mendoj se ndikon pak tek ana psikologjike. Unë e di, por edhe skuadra do e kuptojë që Tirana do jetë më e fortë në ndeshjen e së shtunës. Duhet të jemi më të qetë për të përgatitur ndeshjen, është afër tjetra. Duhet të rikuperohemi fizikisht dhe të qëndrojmë me këmbë në tokë. Ndeshja e kampionatit do të jetë ndryshe”, përfundoi trajneri Shkëmbi.







































