Në seancën e shkuar të parlamentit kreu PD-së Lulzim Basha bëri një deklaratë të fortë për bosin e kokainës që sipas kreut të PD-së ka rezervuar katin tek ndërtesa më e lartë që po ndërtohet: Është ngritur kulla 50 kate në bashkëpronësi me oligarkët dhe krimin e organizuar me gjithë bosët e narkotikës, gjithë bosët e kokainës. Siç e di ti fare mirë se kush bos kokaine ka rezervuar çfarë kati tek ndërtesa më e lartë në Shqipëri….
Top Channel nga një burim në SPAK mëson se ministri Çuci i ka dërguar një letër numrit një të SPAK Arben Kraja, ku i kërkon të hetojë për këtë deklaratë të Bashës.
Ministri Çuçi në këtë letër shkruan: Deklarata e bërë nga ana e z. Basha është deklaratë publike shumë e rëndë, e cila cënon besimin e publikut tek institucionet tona. Referuar legjislacionit në fuqi, përcaktohet se veprat penale të pretenduara në këtë deklaratë, janë pjesë e kompetencës lëndore të institucionit që Ju drejtoni. Në cilësinë e Ministrit të Brendshëm, si dhe në kuadër të misionit tonë të përbashkët në luftën kundër krimit të organizuar, më lejoni të përcjell kërkesën për verifikimin e kësaj deklarate dhe zbardhjen e plotë të çështjes.
Strukturat nën varësinë e institucionit që unë drejtoj thotë ministri Çuçi, mbeten plotësisht në dispozicion të këtij procesi.
“Mbetem shpresëplotë se do të ndërmerrni hapat e nevojshëm për zbardhjen e kësaj çështje, për të përmbushur misionin tonë të përbashkët në luftën kundër krimit të organizuar, si dhe për të qenë transparent me publikun dhe partnerët tanë”, thuhet në letrën e Çuçit.









































