Filmi i animuar shqiptar është e vlerë e çmuar në historinë e artit tonë, por prej vitesh po përballet me probleme për realizimin. Piktorë dhe regjisorë të filmit të animuar shprehen se ky zhanër do më shumë vëmendje nga institucionet, por pak është bërë në këtë drejtim. Reagimet e piktorëve dhe regjisorëve të filmit të animuar vijnë në një kohë kur vetëm pak ditë më parë, në 28 tetor u shënua Dita Ndërkombëtare e Animacionit. Gazmend Leka, piktor dhe regjisor i filmit të animuar, është një nga emrat më të vlerësuar në artin tonë. Për një periudhë 10-vjeçare, 1981-1991 bëhet udhëheqës artistik i filmave të animuar në Kinostudion “Shqipëria e Re”, duke punuar si regjisor i tyre. Por sot piktori dhe pedagogu i arteve prof. Gazmend Leka shprehet se problem kanë qenë investimet ndër vite. “Filmi i animuar shqiptar është një vlerë e çmuar në historinë e artit shqiptar. Sot, kjo vlerë nga e artë që ishte është kthyer në kallp e jo për faj të regjisorëve, por për shkak të investimit rakitik të shtetit shqiptar”, thotë prof. Gazmend Leka. Profesor Leka shprehet dhe për filmin e animuar dikur. Sipas tij, trajtoheshin motivet shqiptare. “Vërtetë që interneti është mbarsur me filma të huaj, por filmi ynë kishte një shenjë të pakthyeshme, trajtoheshin motivet e shqiptarisë të cilat tashmë do mbeten të panjohur nëpërmjet këtij zhanri aq të dashur e sidomos për fëmijët. Fëmijët tanë do bien në kurthin e Mangave. Mëkat i madh!”, shprehet piktori dhe regjisori i njohur i filmit të animuar. Në Kinostudion “Shqipëria e Re” prof. Gazmend Leka dha një kontribut të rëndësishëm në zgjerimin e këtij sektori, në rritjen e nivelit artistik dhe futjen e teknikave bashkëkohore, duke e bërë filmin e animuar shqiptar pjesëmarrës në festivalet e rëndësishme ndërkombëtare.
Animacioni me rëndësi
Producenti Skënder Jaçe shprehet se animacioni është një nga zhanret më të dashur për fëmijë dhe jo vetëm. Sipas tij, vitet e fundit ka pasur prurje edhe pse mes vështirësive. “Filmi i animuar ka rëndësi mjaft të madhe dhe sidomos për edukimin estetik dhe zhvillimit të fantazisë tek fëmijët të cilët e ndjekin me shumë dashuri. Edhe në vendin tonë me gjithë vështirësitë që kalon kinemaja shqiptare, kohët e fundit ka pasur prurje”, thotë Jaçe. Ndërsa regjisorja Eliona Thomoraj shprehet se ky zhanër filmi duhet marrë në mbrojtje. Sipas saj, dhe RTSH duhet ta shohë me përparësi animacionin. “Për faktin e pakundërshtueshëm, që arti i animacionit është zanafilla e artit për fëmijët e shijeve dhe edukimit të tyre, ky zhanër duhet marrë në mbrojtje urgjente nga organet kompetente. RTSH duhet ti shohë me përparësi filmat e animuar shqiptar, pasi është alfa e edukimit të brezit të ri. Buxhetin e filmit të animuar duhet ta shumëfishojnë për të pasur sa më shumë projekte dhe cilësi të kohës”, shprehet Thomaraj. “Zana dhe Miri” është film i parë i animuar shqiptar për fëmijë, i prodhuar nga Kinostudioja më 1975. Filmi u përgatit nga autorët realizues Vlash Droboniku dhe Tomi Vaso.
































