Gazetarja Anduena Llabani ka zbardhur sot detaje në lidhje me dorëheqjen e 2 prokuroreve të Elbasanit, Ermira Tafani dhe Armanda Xhaferri.
Sipas Llabanit, Tafani ka qenë e përfshirë në skema korruptive, madje emri i saj është përmendur në një emision investigativ ku një oficer i policisë gjyqësore në Elbasan mori 2000 euro për lirimin e një personi nga paraburgimi. Ndërkohë që Xhaferri ka lënë pa kryer veprime hetimore për rreth 130 dosje hetimore, të cilat i përkasin periudhës nga viti 2016 e deri në vitin 2020.
Intervista për MCN:
Dy prokurorë të Elbasanit kanë paraqitur dorëheqjen pranë KLP. A ke mundur të mësosh arsyet?
Llabani: Janë dy emra jo të panjohur për publikun dhe drejtësinë. Lajmi ka ardhur nga Këshilli i Lartë i prokurorëve dhe fakti i arsyetimit të kësaj dorëheqje ka qenë i paqartë. Ermira Tafani, prokurore prej 21 vitesh në Elbasan ka qenë një nga kandidatet për zëvendësimin e Adriatik Llallës në krye të Prokurorisë së Përgjithshme.
Para se të ndërmerrte këtë hap emri i saj bëri xhiro në media, me dyshime se ishte e përfshirë në një skemë korrupsioni. Në 31 janar 2017, emisioni investigativ transmetoi një rast korruptiv, kur një oficer i policisë gjyqësore në Elbasan mori nën dorë 2000 euro, për lirimin e një personi nga paraburgimi.
Këto para, sipas tij, duheshin për prokuroren Ermira Tafani dhe gjyqtaren Pajtime Fetahu. Por, ky denoncim nuk e pengoi Tafanit që të kërkonte ngritje në detyrë edhe pse nuk arriti të zgjidhej pasi u rrëzua nga Vettingu parlamentare.
Kujtojmë se një nga dosjet e bujshme që ka hetuar prokurorja Ermira Tafani është ajo e bandës se Kateshit që gjatë 1997 mori në kontroll Elbasanin. Gjithashtu prokurorja Tafani ka hetuar edhe Maksude Kadenën, e njohur si Sudja, një nga çështjet më të bujshme të firmave piramidale, që u përcoll më pas në Tiranë. Pas rrëzimit nga Vettingu parlamentar ajo do të kalojë në Vettingun e drejtësisë, ku llogari përveçse për aspektin profesional do të jap edhe për pasurinë.
Armanda Xhaferri ka lënë pa kryer veprime hetimore për rreth 130 dosje hetimore, të cilat i përkasin periudhës nga viti 2016 e deri në vitin 2020.
Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, pasi u vu në dijeni të kësaj situate, kërkoi pak ditë më parë nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë inspektimin e aktivitetit të saj profesional, me objekt zvarritjet e pajustifikuara të dosjeve penale që ka pasur në hetim.
Njësia e Monitorimit pranë institucionin qendror të Akuzës kreu verifikimet dhe u përball me situatën aspak të zakontë.
Sipas gjetjeve të Prokurorisë së Përgjithshme, rezulton se prokurorja e Elbasanit, Armanda Xhaferri nuk ka kryer thuajse asnjë veprim hetimor për 66 procedime penale të vitit 2020, 39 të tillë për vitin 2019, per 18 procedime të vitit 2018 dhe që prej vitit 2016.
Ndërkohë, ajo rezulton të mos ketë kryer veprime hetimore edhe për 5 raste të hetimit pasuror, të cilat i ka pasur në ngarkim gjatë vitit 2020.
Referuar informacioneve verbale në një sërë çështjesh penale të dorëzuara nga prokurore Armanda Xhaferri, janë vërejtur problematika të ndryshme, që kryesisht konsistojnë në zvarritje të hetimeve dhe mungesë të kontrollit nga ana e prokurores, megjithëse faktet e hetuara në to nuk paraqesin ndonjë kompleksitet të veçantë për të justifikuar zgjatjen e hetimeve nga 2 (dy) vjet e më tepër.
Shumë çështje penale janë dorëzuar nga prokurorja Xhaferri me hetime të përfunduara, në fazat e fundit të çështjeve penale dhe nga ana e saj nuk është ndërmarrë asnjë veprim për dërgimin e tyre në gjykatë për pushim apo shqyrtim gjyqësor, duke humbur në këtë mënyrë afatet proceduriale
Meqë jemi të drejtësi. Po diskutohen edhe ndryshime në ligjin për magjistratët, për shkak të mangësive që ka në gjyqësor. Cilat janë ndërhyrjet që pritet të kryhen?
Llabani: Gjykatat kanë mbetur bosh, nuk kemi më trupë gjyqësore për shkak të vetingut ku një pjesë dorëhiqen, një pjesë arratisen. Është menduar që ata që kanë 5 vite eksperiencë mund të vazhdojnë shkollën e magjistraturës për 1 vit dhe më pas do emërohen gjyqtarë në gjykatat e apelit apo të rretheve. Kjo është zgjidhja më e shpejtë për shkak të kolapsit për shkak të mungesës së trupës gjykuese. Kjo duket si zgjidhja për ti dhënë drejtim pengesës që ka sjellë vetingu.











































