
Procesi i vetingut vijon që të sjell shkarkime në sistemin e drejtësisë. Ditën e djeshme, janë shkarkuar prokurori i Shkodrës, Ermir Lelçi dhe gjyqtarja e Tiranës, Klorinda Çela. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shpalli dje vendimin e shkarkimit nga detyra të prokurorit të Shkodrës, Ermir Lelçi. Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar për prokurorin pak ditë më parë, Komisioni evidentoi pamundësi të burimeve financiare për blerjen e një apartamenti në bashkëpronësi me të atin, për të cilin subjekti pretendoi se kishte krijuar të ardhura të konsiderueshme nga bujqësia e blegtoria. Gjithashtu u evidentuan edhe mangësi profesionale dhe raste të konfliktit të interesit gjatë ushtrimit të detyrës. Procesi i vetingut për prokurorin Lelçi u krye nga trupa gjykuese e KPK e kryesuar nga Pamela Qirko, me relatore Etleda Çiftjan dhe anëtar Roland Ilian. Nga analiza financiare e KPK nuk është arritur të provohen me dokumentacion ligjor të ardhurat e përfituara nga babai prej aktivitetit bujqësor e blegtoral e për rrjedhojë është konkluduar balancë negative fondesh në shumën 2.1 milionë lekë për shlyerjen e kredisë dhe 4.1 milionë lekë për pagesën e kësteve nga i ati. Ndërkohë, KPK dje shpalli vendimin edhe për shkarkim nga detyra për gjyqtaren e Tiranës, Klorinda Çela. Gjyqtarja nuk u paraqit në seancën e shpalljes së vendimit në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, kur u njoftua shkarkimi i saj nga detyra. Çela nuk ishte e pranishme as në seancën dëgjimore të zhvilluar pak ditë më parë, ndërsa paraqiti raport mjekësor për seancën e caktuar për t’u zhvilluar më 22 tetor që për rrjedhojë u shty. Po ashtu, gjyqtarja Arbena Ahmeti e Gjykatës Administrative të Tiranës, u përball dje me KPK. Ajo u pyet nga trupa e vetingut, lidhur me pasurinë, ndërsa procesi i saj i vetingut po kryhet nga trupa e përbërë nga Brunilda Bekteshi, Genta Tafa Bungo dhe Roland Ilia.









































