Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka shpërthyer në akuza dhe sulme të forta në adresë të ish-kryeministrit Sali Berisha. Teksa Berisha ka intensifikuar takimet në bazë pas përjashtimit nga grupi parlamentar demokrat dhe ka hedhur në sulm besnikët e tij kundër kryedemokratit Basha, ky i fundit ka vendosur që t’i përgjigjet “flakë për flakë” atij. Dje në orën 13:30 Basha mblodhi grupin parlamentar demokrat, ndërsa gazeta ka mësuar se është cekur edhe çështja “Berisha”. Mësohet se shefi i selisë blu është shprehur para deputetëve se Berisha s’ka mbështetje në radhët e demokratëve dhe se ata që i shkojnë pas në “Foltoren” e tij janë vetëm ca drejtorë të korruptuar që kanë qenë në pushtet gjatë qeverisë së PD në vitet 2005-2013. Madje, mësohet se lideri demokrat ka shkuar deri atje, duke e cilësuar ish-kryeministrin Sali Berisha si politikanin më jetëgjatë në Europë. “Sali Berisha është lideri politik më jetëgjatë në qarkullim, jo vetëm në rajon, por ndoshta edhe në Europë. Ai ka qeverisur 13 vite Shqipërinë në 30 vite, duke krijuar mirëqenie për shqiptarët, por padyshim ka gabime të mëdha politike me shtresën e ish-pronarëve, ish të përndjekurve politikë, me ç’ideologjizimin e PD dhe korrupsionin që iu faturohet kryesisht drejtorëve të tij të babëzitur. Janë këto figurat që e shoqërojnë nëpër Foltore”, mësohet të jetë shprehur Basha.about:blank
Berisha e konsideron PD si pronë të tij
Por nuk ndalte me kaq, pasi gazeta ka mësuar se kryedemokrati Lulzim Basha ka akuzuar ish-kryeministrin Sali Berisha se po bën lojë të ndyrë me aksionin e tij në bazë, ndërsa sipas tij, ai e konsideron Partinë Demokratike si pronë të tij. Madje, mësohet se zoti Basha ua ka bërë të qartë deputetëve në mbledhje se Berisha po tallet edhe me simpatizantët që i shkojnë pas në “Foltore”, ndonëse e di që e nxorën jashtë lojë amerikanët dhe jo kreu aktual i PD. “Madje doktori ka një fiksim me PD-në. E konsideron krijesën e tij dhe militantët si fëmijët e tij. I gënjen me lodra siç bën një baba me fëmijët e tij. Nuk e lë të rritet dhe të dalë me shtëpi në vete. Sali Berisha i shkel paktet. Vetëm për egon e tij ai nuk ua thotë demokratëve se Lulzim Basha nuk i ka ndonjë borxh. Sepse ai e di shumë mirë se “non-grata-n” nuk ia bëri Lulzim Basha por përkundrazi Lulzim Basha u përpoq ta ndihmojë, duke e përjashtuara nga grupi”, mësohet të jetë shprehur Basha. Më pas, sikundër theksuan të njëjtët burime, në mbledhjen e grupit parlamentar është diskutuar edhe sa u takon komisioneve parlamentare dhe sidomos atij “Beccheti”, teksa janë dhanë këshilla se si deputetët duhet të flasin të enjten gjatë seancës plenare të Kuvendit të Shqipërisë dhe se kush janë çështjet që do të preken. Kujtojmë që në datën 9 shtator të këtij viti, kryedemokrati Lulzim Basha përjashtoi ish-kryeministrin Sali Berisha nga grupi parlamentar i PD. Zoti Basha doli në një deklaratë për median, një ditë para nisjes së Kuvendit, ku njoftoi se Berisha, pas shpalljes “non grata” nga SHBA, deri në përfundimin e plotë të kësaj çështjeje, nuk do të jetë në jetë anëtar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike.