Partia Socialiste ka nisur përgatitet për zgjedhjet vendore. Edhe pse aktualisht ka thuajse shumicën e administrimit të Bashkive, gazeta ka mësuar se kryeministri Rama ka porositur bazën socialiste që të përgatiten për zgjedhjet të parakohshme vendore. Sipas informacioneve, mësohet se të gjitha degët e PS në gjithë Shqipërinë, përveç procesit të riorganizimit të partisë dhe analizës së zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, po përgatitet edhe për zgjedhje vendore. Madje, një gjë e tillë është paralajmëruar edhe nga drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Fierit, Taulant Balla, gjatë një takimi që pati këtë fundjavë me strukturat e PS në pesë rajonet e qytetit të Lushnjës.a
PS paralajmëron zgjedhje të reja
Përmes një postimi, Balla theksoi se socialistët duhet të përgatiten për zgjedhjet vendore. “Zhvilluam takimet me strukturat e PS në pesë rajonet e qytetit Lushnjë, ku PS ka marrë rezultate pozitive elektorale gjithmonë. Besoj se të gjithë kemi mësuar nga gabimet e së shkuarës, kur lënia në harresë e strukturës së partisë, nuk na ka dhënë rezultatin e duhur në përballjen elektorale të radhës. Ne sot jemi në kohën e duhur për të realizuar një analizë të thellë dhe objektive të rezultatit në çdo qendër votimi, pra në çdo organizatë socialiste. Nga kjo analizë dhe ripërtëritje e fuqisë sonë organizative ne duhet të bëhemi tërësisht gati për fitoren e zgjedhjeve vendore sapo ato të zhvillohen dhe ato parlamentare në vitin 2025, për mandatin tonë të katërt qeverisës”, shkruan Balla.
Venecia këtë javë vulos 30 qershorin
Por ky mobilizim i socialistëve mësohet se ka ardhur edhe për dy arsye të tjera, sikundër është reforma territoriale dhe Komisioni i Venecias. Pak kohë më parë Gjykata Kushtetuese iu drejtua “Venecias”, duke kërkuar një opinion sa i takon ligjshmërisë ose jo të zgjedhjeve vendore të 30 qershorit. Komisioni i Venecias do mblidhet për çështjen e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit në 14 tetor, pra këtë javë. Kështu që nisur nga frika e ndonjë surprize që mund të ndodhë si pasojë e vendimit që Kushtetuesja do të marrë për zgjedhjet vendore të 30 qershorit, pas konsultave që do marrë nga Komisioni i Venecias, mësohet se socialistët kanë nisur përgatitjet sikur zgjedhjet vendore të mbahen nesër. Megjithatë edhe nëse “Venecia” nuk i hap dritën jeshile mbajtjes së zgjedhjeve vendore të parakohshme, në Shqipëri do të këtë zgjedhje të pjesshme lokale për shkak se janë disa bashki pa kryetar. Ndërkohë, arsyeja tjetër që tregon se vendi mund të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme vendore, ka të bëjë me lëvizjen e Partisë Demokratike, e cila kërkon ndryshimin e numrit të bashkive dhe një riorganizim të ri. Sipas informacioneve, mësohet se në prapaskenë përveç zgjatjes së mandatit të organeve të vetingut, reformës zgjedhore dhe territoriale, mes socialistëve dhe demokratëve po diskutohet edhe çuarja e vendit drejt zgjedhjeve vendore. Kjo do të thotë se nëse ka konsensus mes palëve, vendi shkon drejt zgjedhjeve lokale në pranverë.