Prova javore e vendosur nga “Vëllai i Madh” mundësoi që banorët të tregonin për publikun aspekte tepër personale të jetës së tyre private. Ilir Shaqiri tregoi se disa vite më parë ka tradhtuar bashkëshorten e tij, vendim i cili e rrezikoi të humbiste gjërat më të rëndësishme të jetës së tij.
“Ishte një histori që nisi si një lojë. Ishte një balerinë që ma hoqi petllën thënë troç. Loja vazhdoi për 3 vjet. Lozëm aq shumë sa u futa në një labirint. Gruas i thash se do të largohem nga shtëpia derisa të vendoset përfundimisht ç’do të bëjmë. Do humbisja gjithçka nga ajo gjë”, tregoi balerini.
Ai shprehu mirënjohjen për bashkëshorten e tij e cila pati ‘inteligjencën dhe besimin’ për t’ja falur këtë veprim. Ai gjithashtu pranoi se ajo u kujdes që vajza e tyre të mos informohej për gjithçka ndodhte në raportin e tyre në çift.
“Kam një grua të mrekullueshme… u tregua shumë inteligjente dhe më fali. Edhe vajza ime nuk kuptoi asgjë’, u shpreh Iliri.