“Albania Dance Meeting-Festival” në edicionin e 16, Gjergj Prevazi: Programi me synim prezantimin e shfaqjeve që kanë si princip themelor eksperimentin

0
232

“Albania Dance Meeting-Festival” ka nisur edicionin e 16, ku bëhen bashkë trupa shqiptare dhe të huaja. Festivali ka pjesëmarrje të trupave artistike nga Austria, Italia, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria. Me drejtor artistik koreografin e njohur Gjergj Prevazi festivali u hap mbrëmjen e 3 tetorit në Durrës në teatrin “Aleksandër Moisiu” me artistët nga Austria, për të vijuar me të njëjtën shfaqje dhe në teatrin Metropol në Tiranë. Drejtori artistik Gjergj Prevazi shprehet se mes shfaqjeve, që do të jepen për publikun janë dhe premiera. “Këtë vit programi është ndërtuar me synim prezantimin e shfaqjeve, që kanë si princip themelor eksperimentin. Një mbrëmje i kushtohet koreografëve të rinj. Ne kemi përzgjedhur dy, një nga Shqipëria dhe një nga Kosova. Në festival këtë edicion të 16-të do të ketë dy premiera”, shprehet Prevazi drejtor artistik i festivalit ndërkombëtar të dancit në vendin tonë. Edhe këtë vit shfaqjet për publikun do të prezantohen në vende të ndryshme. Drejtori artistik Gjergj Prevazi thotë se kjo është dhe në strategjinë e këtij festivali. “Si çdo vit, strategjia e “Albania Dance Meeting- Festival” është të prezantojë shfaqje atje ku spektatori është, në zona të ndryshme dhe qytete të ndryshme. Kështu programi jonë prezantohet në teatrin Metropol, Teatrin Kombëtar Eksperimental, te instalacioni “Reja” në Tiranë, teatri “Aleksandër Moisiu” në Durrës dhe te Teatri Kombëtar i Kosovës”, tregon Prevazi. Gjatë festivalit janë dhe artistë të huaj, që do të mbajnë workshop me studentë të programit Bachelor në Koreografi, në Universitetin e Arteve, si dhe në Shkollën e Baletit. Festivali nisi më datë 3 tetor, për të vijuar me shfaqje dhe në 5 tetor, në 10 dhe 20 tetor si dhe në 8, 10, 11, 12, 13, 14 nëntor sipas vendeve që janë përcaktuar shfaqjet.

Artistët nga Austria

Në datën 5 tetor, ora 19:00, në kuadër të edicionit të 16-të të “Albania Dance Meeting- Festival” në teatrin Metropol u prezantua “The B-Team” me trupën artistike nga Austria. Në materialin rreth shfaqjes, thuhet se “The B -Team” përbëhet nga 4 profesionistë të skenës që bashkohen ne miqësinë dhe besnikërinë e përbashkët ndaj kauzës së shpëtimit të botës. “Presioni dhe dinamika e fuqisë së vazhdueshme të këtij grupi heronjsh çojnë në nxitje të grupit dhe kthesë të rrezikshme të ngjarjeve. “The B-Team” është një shfaqje danci kontemporan për maskulinitetin (toksik), heroizmin dhe miqësinë. Kjo komedi danci aksion është frymëzuar nga kinemaja e viteve ‘80 (Rambo, Die Hard, Terminator…), duke cituar dhe ricikluar në mënyrë aktive karakterin e pop-kulturës së heronjve të aksionit, duke u përballur me maskilizmin bashkëkohor”, thuhet në material. Koncepti dhe drejtimi Hygin Delimat. Koreografi Hygin Delimat dhe Body Architects, performanca Lukasz Czapski, Hygin Delimat, Marcin Denkiewicz, Voland Szekely. Muzika Voland Szekely, skena/dizajni i dritës Hygin Delimat, konsulent artistik Athanasia Kanellopolou, Wiktor Janas.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here