Filmi “Vulë” me regji nga Valmir Tertini po vijon me vlerësime në festivale ndërkombëtare të filmit. Pas Francës në “Lacorne Internacional Film Festival” ku triumfoi si “Drama më e mirë” dhe ishte çmimi i 12, vjen edhe çmimi i 13 nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Filmi me skenar dhe regji të Valmir Tertinit mori çmimin “Drama më e mirë”, në “Direct Film Festival” në SHBA. Në këtë film luajnë aktorët Jorida Sorra, Fatlume Bunjaku, Avni Dalipi, Edmond Hafizademi, Vlera Pylla dhe të tjerë. Ky film flet për Viktorian, një punonjëse e papërgjegjshme në Ambasadën Gjermane në Prishtinë. E varur nga alkooli, dhe me mungesë të një partneri, bën një jetë geto. Ndërsa punën për të cilën i është besuar posti nuk i intereson fare dhe le dosjet e hapura pa firmosur. Si një punonjëse e papërgjegjshme, ajo i dha një vizë njëvjeçare një djali nga Kosova vetëm për shkak se kishte marrëdhënie seksuale me të. Ajo u shkarkua nga ambasada, dhe rastësisht, ata e shohin njëri-tjetrin në aeroport kur udhëtojnë për në Gjermani. Më parë xhirimet e filmit artistik “Vulë” me skenar dhe regji nga Valmir Tertini janë bërë jo vetëm në Tiranë, por edhe në Prishtinë. Rolin kryesor në film Viktorian e luan aktorja shqiptare Jorida Sorra. Ky është filmi i pestë i regjisorit Valmir Tertini, që deri tani ka në aktivitetin e tij çmime të ndryshme ndërkombëtare, si dhe disa çmime kombëtare. Në vlerësimet e filmit përmendim edhe çmimin për skenarin më të mirë, në “New York True Venture Festival” (NYTVFF). Në një reagim pas këtij vlerësimi, regjisori Valmir Tertini më herët tregoi se ky është çmimi i dytë në këtë kategori, pas MEDff në Itali. “Vulë” ka fituar dhe çmimin “Regjisori më i mirë” në “Lakecity International Film Festival”, “Filmi më i mirë i shkurtër” në “Ayodhya Film Festival”, në Indi, etj. Financimi i projektit kinematografik “Vulë” është nga Qendra Kombëtare e Kinematografike (QKK) dhe kompania realizuese është “DardanKinostudio”.



































