Uzuni shton adrenalinën në Kombëtare: Hungarinë e njoh, luajmë për 3 pikë

0
237

Kombëtarja jonë do të luajë ditën e shtunë më 9 tetor përballë Hungarisë, në transfertë, për të mundësuar një rezultat historik që do ta mbante atë në lojë për vendin e dytë në grup me ambicien që nëpërmjet “play-off”-it të siguronte kualifikimin në Botërorin e Katarit të vitit të ardhshëm. Në prag të këtij takimi trajneri Edi Reja ka grumbulluar lojtarët më në formë dhe shpreson të marrë maksimumin. Janë dy duele, fillimisht me Hungarinë, e më datë 12 ndaj Polonisë në Tiranë. Ndeshje përcaktuese. Dje në konferencën e zakonshme për shtyp të përfaqësueses foli sulmuesi i krahut, Myrto Uzuni, i cili e njeh mirë Hungarinë, për vetë faktin pasi prej dy sezonesh aktivizohet me kampionët e Hungarisë, Ferencvarosh. Uzuni zbuloi disa detaje nga hungarezët. “Dua të luaj çdo ndeshje pavarësisht klubit apo kombëtares, Hungarinë e njoh mirë jetoj atje dhe stërvitem me të njëjtët lojtarë që do të luajnë kundër Shqipërisë. Flasim dhe në dhomat e zhveshjes, presin për një ndeshje shumë të bukur, ekipi që do të bëjë më pak gabime do të fitojë. Nuk është avantazh për ne, pasi Hungaria ka marrë rezultate të mira pa tifozë, në fushë janë të tre rezultatet, por nuk është në favorin tonë”, theksoi Uzuni. Më pas ai foli për formën e tij dhe objektivat rreth formacionit. “Ndihem në formën time më të mirë, Kombëtarja është diçka tjetër duhet të përqendrohemi dhe duhet të jemi të gjithë së bashku të arrijmë objektivat, nuk ka rëndësi kush luan. Mendoj se tani është kulmi i karrierës time, pasi po jap maksimumin me Kombëtaren dhe Ligën e Europës por varet sa i përqendruar je. Normalisht është e njëjta Kombëtare që do të gjejmë aty, kanë të njëjtën strategji si në pasi të dy trajnerët janë italianë, luajnë si ne. Nuk hyjmë për barazimin në fushë, duam të japim maksimumin”, shtoi Uzuni.

Infektimi me COVID19 shqetëson Kombëtaren dhe Tiranën

Covid-19 depërton në grumbullimin kuqezi. Siç bën të ditur Federata Shqiptare e Futbollit, mbrojtësi i Tiranës Erjon Hoxhallari, e po ashtu edhe fizioterapisti Arzen Voci kanë rezultuar pozitivë me Covid në testet e kryera dhe kanë lënë menjëherë grumbullimin e kombëtares. Mbrojtësi Hoxhallari nuk do të jetë në dispozicion të Edi Rejës, për dy takimet e radhës, me Hungarinë këtë të shtunë, dhe me Poloninë 3 ditë më pas. Interesant është fakti se vetëm një ditë më parë, e njëjta situatë u konstatua edhe te përfaqësuesja e 21-vjeçarëve pasi federata komunikoi se pozitiv ndaj Covid -19 kishte rezultuar edhe Marsel Ismailgeci, i cili la grumbullimin e ekipit shpresa. Duke qenë se të tre personat në fjalë, Hoxhallari, Ismailgeci dhe Voci, janë pjesë e ekipit të Tiranës, është e lehtë të kuptohet se ka një vatër infektimi në klubin bardheblu. Skuadra kryeqytetase luajti ndeshjen e saj të fundit, para pak ditësh, të dielën e kaluar ndaj Lacit, ku si Hoxhallari ashtu dhe Ismailgeci ishin titullarë në 11-shen fillestare të Orges Shehit. Në klubin bardheblu ndërkohë në respekt edhe të protokollit anti-Covid pas konstatimit të dy lojtarëve të skuadrës pozitive do të testohet edhe pjesa tjetër e grupit. Gjithsesi në skuadër deri tani asnjë nga futbollistët e tjerë nuk ka shfaqur simptomat e sëmundjes.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here