Sulmuesi ka qenë aktiv në media këto ditë, duke luajtur me “dy porta”, por kjo gjë nuk i ka pëlqyer PSG-së. Dje situatën e tensionoi mamaja e tij
Marrëdhëniet e Kilian Mbapesë me Paris San Zhermen kanë hyrë në një rreth vicioz, që mund të kenë pasoja për lojtarin. Daljet e tij në media, duke luajtur me dy “porta”, kanë sjellë shqetësim tek klubi dhe financuesit e parizienëve, sheikët arabë me në krye Naser Al Khelaifin. Kështu, intervista e pa autorizuar e Kilian Mbape, e dhënë për “RMC Sport” dhe për “L’Equipe”, në të cilën rrëfeu se i kishte kërkuar klubit që të shitej te Reali i Madridit gjatë merkatos së verës, ka irrituar së tepërmi drejtuesit më të lartë të Paris San Zhermen. Sheikët në fakt, kanë mbetur të shokuar nga deklaratat si dhe nga momenti në të cilin janë dhënë, dhe kanë frikë se fjalët e sulmuesit mund të kenë pasoja në dhomat e zhveshjes për sa i përket atmosferës në skuadër. Të irrituar janë dhe tifozët, që janë gati ta vërshëllejnë Mbape në sfidat në shtëpi. Parashikohen javë të vështira për sulmuesin francez, që për momentin është i grumbulluar me kombëtaren, por që pritet të jetë nën presion sapo të kthehet në skuadër. Gjithçka për shkak të intervistave të fundit, në të cilat dhe versionin e tij për telenovelën e gjatë të verës që nuk u mbyll me transferimin te Reali, por që ndërkohë nuk solli as rinovimin e tij me klubin aktual. Në këtë mënyrë që nga 1 janari i ardhshëm, Mbape do të jetë i lirë për të arritur një akord me “Los Blancos”, gjithmonë nëse nuk ndodh ndonjë e papritur tjetër. Sheikët, që në fund të gushtit refuzuan 200 milionë eurot e ofruara nga Florentino Perez , kanë më pak se 3 muaj kohë për ta bindur futbollistin që të zgjasë kontratën e cila skadon në vitin 2022, një mision i vështirë ky me Mbape që duket se është i vendosur për të kaluar në La Liga. Reali i Madridit ndërkohë vazhdon presingun konstant, diçka që raportohet nga mediat kryesore sportive në Europë, dhe që ka irrituar jo pak edhe drejtuesit e klubit, e sidomos drejtorin sportiv Leonardo. Ndërkohë, mamaja e Mbapesë ka shkaktuar tërmetin e radhës dje. AYZA LAMARI, nëna e Mbapesë, ka zbuluar të mërkurën se është takuar të hënën me drejtorin sportiv të klubit, Leonardon. Ajo ka shokuar Real Madridin, duke konfirmuar se me Parisin janë në bisedime për rinovimin e kontratës, që i skadon në qershor të vitit 2022 dhe Reali synonte ta merrte falas meqenëse Parisi refuzoi deri në 200 milionë euro në gushtin që lamë pas. “Kam folur me Leonardon të hënën. Po diskutojmë për zgjatjen e kontratës për një vit dhe gjërat po shkojnë mirë”, tha ajo, duke shtuar: “Situata e Mbape mund të ndryshojë brenda natës”. Pra gjithçka duket e paqartë rreth të ardhmes së lojtarit.



































