Kilian Mbape pranoi se kishte kërkuar largimin nga Paris San Zhermen gjatë verës dhe se destinacioni i vetëm i zgjedhur prej tij, ishte Reali i Madridit. Kontrata e sulmuesit 22-vjeçar skadon verën e ardhshme, kohë kur Reali mund ta marrë me parametra zero, megjithatë duket se Florentino Perez nuk ka ndërmend të presë aq gjatë, pasi do të bëjë tentativën e radhës që në muajin janar. “Në janar do të kemi lajme nga Mbape. Shpresojmë që ditën e parë të janarit të jetë zgjidhur gjithçka”, deklaroi presidenti i “Los Blancos”, i kontaktuar direkt nga programi televiziv “El Dibatitto”, për të komentuar intervistën e sulmuesit francez. Reali i Madridit provoi deri në fund që të marrë sulmuesin francez gjatë merkatos së verës, por Paris San Zhermen rezistoi, duke ngritur një “mur të lartë” me pretendimet ekonomike, të cilat “Los Blancos” nuk mund t’i plotësonin dot. Megjithatë Mbape vijon të mos rinovojë dhe drejtuesit e klubit francez mund të pranojnë ta shesin në muajin janar, për të mos e humbur me parametra zero verën e ardhshme, kohë kur i përfundon edhe kontrata me PSG-në. “Fillimisht, kisha kërkuar një periudhë reflektimi. Para Europianit, i thashë klubit se nuk dua të rinovoj dhe pas turneut, thashë që doja të largohesha. Gjithashtu doja t’i jepja kohë klubit tim për të gjetur një zëvendësues, që të gjithë të ishin të lumtur dhe që unë të vazhdoja në rrugën time. Më pas, klubi vendosi të mos më shiste. Në rregull, nuk kam pasur asnjë problem, jam ende në një ekip të madh dhe në një vend ku kam qenë i lumtur për katër vjet”, tha Mbape. Lojtari e pranon se nëse do të ndahej me PSG-në verën që lamë pas, destinacioni i radhës do të kishte qenë Madridi. “Sigurisht. Reali i Madridit bëri ofertë (madje disa, nga 160 € në 200 milionë €). U tha se kisha refuzuar gjashtë oferta rinovimi, por nuk është e vërtetë. U tha nuk dëshiroja të flisja me Leonardon dhe se presidenti Al Khelaifi mori përsipër të zgjidhte çështjen. Arsyet e largimit? Mendova se aventura ime kishte mbaruar. Doja diçka më shumë. Kisha qenë në Ligue 1 për gjashtë apo shtatë vjet. Dhashë gjithçka munda për Parisin dhe mendoj se e bëra mirë. Më pas, të gjithë janë të lirë të nxjerrin çfarëdo përfundimi që duan, por ky ishte vendimi im. Largimi ishte hapi tjetër logjik. Jam i lidhur me PSG -në dhe nëse do të isha larguar këtë verë, do të ndodhte vetëm për Realin. Aktualisht, e ardhmja ime nuk është përparësia ime. Tashmë kam humbur shumë energji këtë verë dhe ishte rraskapitëse”, nënvizoi Mbape.
































