Në shtator, u organizua në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, një event magjik sporti, ku u ndërtua një ring për një mbrëmje madhështore në sportin e Muay Thai. Kulmi i mbrëmjes ishte ngjitja në ring e Ervis Bicit, u cili dueloi për titullin europian në MTBSA, që regjistron dhe një prej titujve më të rëndësishëm në Tajlandë, vendi që ka prioritetin e këtij sporti në botë. Përballë Bicit ishte marokeni Abdyl Kasimi, në një duel të programuar në pesë raunde me nga tri minuta. Dueli zhvillohej në peshën trupore 72 kg. Para se të vinte në këtë mbrëmje, Bici ishte stërvitur në gjirin e Lalëzit nga trajnerët e tij Ermirian Bici si dhe legjenda e këtij sporti, 7-herë kampioni i botës, tajlandezi Sak Kaoponlek. Mbrëmja u quajt “Albulena Fight Night”, pra një mbrëmje që mbante emrin e vendit të famshëm ku Skënderbeu mposhti turqit osmanë pranë Milotit.
Skënderbeu si motivues dhe reklamimi i sportit e turizmit shqiptar
Duke folur për gazetën “SOT”, Ervis Bici tregon se zgjedhja e vendit për duelin e madh për titull europian në këtë sport kishte rëndësinë e vet. “E bëmë këtë duel në sheshin ‘Skënderbej’, pasi kjo figurë e madhe kombëtare është idhulli im, është inspirues dhe më jep një energji shpirtërore. Zgjodhëm emrin “Albulena”, si vendi ku ai zhvilloi një nga betejat e tij. Ishte një ndeshje e vështirë me marokenin Kasimi, takim të cilin unë e fitova me pikë pas 5 raundesh. Kjo mbrëmje nuk ishte thjesht mbrëmje e ringut, por edhe një reklamë e mirë për Shqipërinë. Zgjedhja e qendrës ishte gjetje, pasi ngjalli kureshtjen e njerëzve, plus që organizimi ishte shumë i mirë. Me këtë rast dua të shpreh mirënjohjen time për kreun e Bashkisë së Tiranës, z.Erjon Veliaj, që na vuri në dispozicion sheshin. Njerëzit që e ndoqën mbrëmjen kanë shprehur simpati për këtë sport, sepse krahas forcës përçon kulturë, disiplinë, Muay Thai është një sport i veçantë, plus organizimi që ishte shumë i mirë. Të huajt që e kanë parë ndeshjen nga afër ose nga videot online kanë mbetur të befasuar nga vendi”, tha Bici.
Tërheqja nuk është opsion, Bici thyen peshën e viteve
Ervis Bici e ka filluar relativisht vonë këtë sport, në moshën 34-vjeçare, por ka arritur shumë në rang europian. Ai thotë se do të vazhdojë të ngjitet në ring, edhe pse është futur në të 40-at. “Ky sport më jep adrenalinë, nuk kanë vlerë vitet por zemra. Shqipëria s’ka federatë të tillë, kështu që marrja e lejes për ta organizuar eventin merret nga federata që jep titullin. Kujtoj që ky vlerësohet si një nga 5 titujt më të rëndësishëm të Tajlandë. Gjyqtarët ishin të huaj, pra gjithçka në përputhje me një event ndërkombëtar. Ky ishte eventi i katërt me mua protagonist në Shqipëri, por ky duel ishte nga më të rëndësishmit. Një detaj që vlen është se të ardhurat kanë shkuar për bamirësi”, shtoi Bici. Në fund ai kujton se ka marrë sfida nga shumë boksierë të këtij sporti nga shumë vende të botës, përfshi dhe dy serbë. “Për momentin po shijoj suksesin, por pas disa muajsh duhet të bëhem gati. Eventi i radhës duhet të jetë më i madh dhe natyrisht do të zhvillohet jashtë vendit. Objektivi im është të ruaj titullin dhe ëndrra është të shkoj tek titulli botëror. Për këtë ëndërr nuk kam ndërmend të ndalem”, përfundoi Bici, i cili këtë sukses ia dedikon nënës së tij.









































