Dy personave u është bërë atentat mbrëmjen e së hënës në Elbasan. Ata janë qëlluar me breshëri nga një automjet në lëvizje ndërsa ishin duke ecur në këmbë në zonën e Bradasheshit, pranë vendi të quajtur si “rreth rrotullimi i luleve”.
Lulzim Bitri, 35 vjeç, ka ndërruar jetë në vend ndërsa Ardian (Subashi) Çollaku është në gjendje kome.
Por si ndodhi ngjarja?
Nga informacionet e siguruara, rezulton se si Bitri dhe Çollaku lëviznin me makine të blinduara dhe autorët, kanë pritur pikërisht momentin që ata kanë qenë në këmbë për t’i qëlluar. Pista që po hetohet aktualisht është ajo e larjeve të hesapeve.
Ndërkaq, vlen për t’u theksuar se pas krimit të rëndë, autorët kanë djegur në zonën e Metalurgjikut një mjet tip “Volvo”.
Dyshohet se më pas, ata janë larguar ose në një zonë në qytet, ose janë ndihmuar nga një mjet tjetër, për t’u larguar në një tjetër vend. Megjithatë, policia ka ngritur pika të shumta kontrolli në vendngjarje me qëllim kapjen dhe arrestimin e autorëve. Sa i përket zonës ku ndodhi krimi, një bar kafe në hyrje të qytetit, ajo është e rrethuar nga shumë kamera.
Ata janë sekuestruar nga uniformat blu dhe pritet që të tregojnë detaje të reja që mund të ndihmojnë në identifikimin dhe kapjen e autorëve.









































