Kategoria Superiore mbylli dje javën e katërt të saj, ku pati dy fitore të bujshme, që lartësuan në renditje dy skuadra, Teutën kampione në fuqi dhe Tiranën, e cila ka ambicie të mëdha këtë edicion. Duhet thënë se kryendeshja e javës së katërt ishte derbi Dinamo-Partizani i luajtur të premten e i mbyllur në barazim 1-1, por dje ishte një tjetër kryendeshje, ajo mes Kukësit dhe Teutës. Fitorja e durrsakëve në një ndeshje spektakolare të luajtur në “Elbasan Arena”, dëshmoi se skuadra e trajnerit Edi Martini ka ende petkun e kampiones dhe me grup cilësor të saj po bën diferencë që në javët e para. Kjo fitore spektakolare e saj bën që ta përmbysë Kukësin në renditje dhe ta marrë vetë “timonin”, duke dalë në vend të parë me pikë të barabarta me Tiranën. Kukësi pësoi humbjen e parë këtë sezon, ndërkohë që Teuta jo vetëm që se ka provuar humbjen, por me dy barazime e dy fitore duket në rrugë të drejtë.
Ndeshja
I pari sulmoi Kukësi që në minutën e dytë, me anë të Basas, por portieri Qirko evitoi golin në portën durrsake. Në minutën e 7-të vjen goli i parë i ndeshjes, i shënuar nga Albano Aleksi. Ai goditi fluturimthi topin e mbetur në zonë pas harkimit nga këndi dhe sfera përfundon në rrjetë. Më pas loja merr flakë dhe të dyja skuadrat luajnë hapur, duke dhënë spektakël. Reagon menjëherë Kukësi që barazon shifrat me brazilianin Vitor Feijao, që përfitoi nga një pritje jo e mirë e Qirkos pas goditjes së Basa. Një aksion model i Kukësit me Feijaon që gjeti golin e tij të parë në kampionat me verilindorët. Minutat në vijim janë shumë të mira për Kukësin, që regjistron shumë aksione sulmuese e i afrohet shumë golit. Dhe përpjekjet e skuadrës verilindore japin efekt. Në minutën e 27-të është rasti i Kukësit dhe gjyqtari Xhaja, pasi këshillohet me VAR, jep penallti, për prekje të topit me dorë brenda zonës nga Xhekson. Gjelbërim Taipi tregohet i saktë, edhe pse Pano Qirko arrin t’i kuptojë krahun. Por loja bëhet akoma më interesante në vijim, pasi në minutën e 32-të, është sulmuesi Sebino Plaku që barazon shifrat 2-2, pasi u vu përballë tek për tek me portierin Tafa, duke e mposhtur atë. Por emocionet nuk do të ndaleshin aty. Në fundin e pjesës së parë, pikërisht në minutën e 44-t, Teuta e përmbys Kukësin, duke shënuar golin e tretë me anë të francezit Kubemba. Ishte një lëvizje e bukur e Xhekson që nxori para portierit Emiliano Vilën, goditja e tij të cilit u prit nga Tafas, por Kubemba nga dy hapa e kishte të thjeshtë ta dërgonte topin në rrjetë, për ta mbyllur pjesën e parë me shifrat 3-2 për Teutën e Durrësit. Në fakt, ishte me fat Teuta në sekondat e fundit të pjesës së parë, pasi një gjuajtje nga mesi i fushës për pak e shtangu portierin Qirko, por shifrat nuk ndryshuan.
Portat mbyllen
Në pjesën e dytë Kukësi e rriti volumin e lojës dhe u vu në kërkim të golit të barazimit. Madje e gjeti golin e tretë me anë të Feijon, por arbitri e anuloi për pozicion jashtë loje të sulmuesit tjetër, Basa. Loja stabilizohet më pas, por me Kukësin më iniciator, që gjithsesi nuk arriti të konkretizonte rastet e tij. në minutën e 82-të, Shqiprim Taipi ka një rast ideal, por ai gabon në gjuajtje fare pranë vijës së portës, duke bërë që sfera të përfundojë jashtë. Në fund të takimit, për shkak të tensionit të akumuluar, dy lojtarë dalin me karton të kuq, Asion Daja i Teutës dhe Gjelbrim Taipi i Teutës.







































